Maqedoni

Krijimi i Urdhrit Bektashi, Rama: Një qendër tolerance bashkëjetese

23.09.2024 14:41

Idenë për krijimin e një shteti të ngjashëm me Vatikanin brenda Tiranës, kryeministri Edi Rama...

Idenë për krijimin e një shteti të ngjashëm me Vatikanin brenda Tiranës, kryeministri Edi Rama e shpalosi edhe në Asamblenë e përgjithshme të OKB-së, para liderëve nga e mbarë bota. Pa u ndalur gjatë, Rama përmendi disa raste kur Shqipëria ka dhënë shenja të larta humanizmi.
 
“Ka mbrojtur humanizmin e përbashkët, kishte më shumë hebrenj në Evropë pas luftës, falë familjeve myslimane e të krishtera që i mbrojtën nga nazistët. Mbrojtëm mijëra afganë, i dhamë botës shenjtoren më të re, Nënë Tereza, që na dha parimin e bërjes së gjërave të vogla me dashuri të madhe. Ky është parimi që i qëndrojmë dhe rrekemi të veprojmë për të transformuar qendrën e Urdhrit Bektashi në qendër të Tiranës si një qendër tolerance bashkëjetese.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. 
 
Brahimaj: Nuk kërkojmë ndikim apo pushtet politik
 
Më herët ishte Kryegjyshata botërore me seli në Tiranë, ajo që foli për qëllimin e vërtetë të krijimit të Urdhrit Bektashi, nismë që e quan parathënie të një epoke të re për tolerancën fetare.
 
“Kjo nismë nuk ka të bëjë me vetëvendosjen, as nuk po kërkojmë ndikim apo pushtet politik. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë lirinë për të vazhduar traditën tonë shekullore të modelimit shpirtëror dhe përfshirjes fetare. Kjo lëvizje do t’i mundësojë Urdhrit të forcojë rolin e tij në nxitjen e dialogut global ndërfetar dhe në kundërshtimin e rritjes së ekstremizmit të dhunshëm në mbarë botën. Sovraniteti do të sigurojë mbrojtjen dhe pavarësinë e praktikave fetare të Urdhrit Bektashi dhe promovimin ndërkombëtar të këtyre vlerave.”, - theksoi kryegjyshi botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. 
 
Më tej, kryegjyshi botëror sqaron se shtetësia në shtetin e ri sovran të Urdhrit Bektashi do të kufizohet vetëm tek anëtarët e klerit dhe ata individët e angazhuar në administrimin e shtetit.
 
“Qeverisja e shtetit do të udhëhiqet nga udhëheqja shpirtërore e Urdhrit, me Kryegjyshin (Dedebaba) dhe një këshill që do të mbikëqyrë funksionet fetare dhe administrative. Ndryshe nga sa është aluduar në media, shteti i ri nuk do të ketë asnjë synim tjetër, veç udhëheqjes shpirtërore.”, - u shpreh kryegjyshi botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. 
 
Territori i shtetit të ri bektashi parashikohet të jetë aty ku sot ndodhet Kryegjyshata Botërore, në 27 hektarë tokë, një e katërta e madhësisë së qytetit të Vatikanit, aktualisht vendi më i vogël në botë. Në Censin e fundit u deklaruan besimtarë bektashinj, rreth 116 mijë shqiptarë.
 
LULJETA NDOKA