Maqedoni
Samiti për të ardhmen e Kombeve të Bashkuara, Davkova: Reforma të thella në OKB
23.09.2024 15:15
Pa reforma në Organizatën e Kombeve të Bashkuara nuk mund të arrihet në vendimmarrje multilaterale...

Pa reforma në Organizatën e Kombeve të Bashkuara nuk mund të arrihet në vendimmarrje multilaterale, për t’iu përgjigjur kërcënimeve dhe sfidave globale, ka thënë presidentja, Gordana Siljanovska Davkova, në fjalimin e saj në Samitin për të ardhmen, të Kombeve Bashkuara në Nju Jork. Sipas saj, reformat duhet të jenë thelbësore, funksionale, strukturore dhe demokratike. Roli i Asamblesë së Përgjithshme si trup mbrojtës i Kombeve të Bashkuara të forcohet, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të marrë një rol më të fortë dhe vendimet e saja të bëhen të detyrueshme për të gjithë, konsideron presidentja e shtetit.
“Është koha e fundit për t’u përballur me realitetin e shëmtuar të luftërave, fatkeqësive natyrore, varfërisë së madhe, pabarazisë, shkeljes së të drejtave ndërkombëtare, duke praktikuar ligjin e njeriut në vend të shtetit të së drejtës, duke sakrifikuar drejtësinë, etikën dhe moralin për hir të përfitimit dhe pushtetit. Veprimet e guximshme janë të pamundura pa reforma të thella në OKB.”, - deklaroi kryetarja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova.
Davkova: Të rritet pjesëmarrja e vendeve më të vogla
Skena ndërkombëtare, sipas Davkovës është ndryshe nga ajo e viteve 45, ndërkaq e ardhmja kërkon vlerësim real dhe të bazuar në analiza të diagnozave aktuale.
“Nuk mendoj se zgjerimi i Këshillit të Sigurimit me disa anëtarë të rinj të përhershëm, me të drejtë ekskluzive të vetos, do të nënkuptojë në vetvete një garanci më të madhe për paqen, sigurinë, megjithëse është e qartë për mua se raportet e fuqive botërore, sot nuk janë ato të vitit 1945. Si përfaqësues i një vendi të vogël, besoj se duhet të rritet pjesëmarrja e vendeve më të vogla në këtë organ, për t’i mbrojtur ato nga rreziku real i atyre më të mëdhenj.”, - theksoi kryetarja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova.
Konsensusi për dilemat dhe sfidat e së ardhmes mund të gjendet vetëm në shtëpinë e organizatës universale, ku paqja, prosperiteti dhe drejtësia nuk do të jenë vetëm dëshirë, por realitet, ka përfunduar fjalimin shefja e shtetit Davkova në Samitin e së ardhmes me temë: “Përforcimi i multilateralizmit për paqe dhe siguri ndërkombëtare”.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
