Maqedoni

Gashi pret Spiropalin, bashkëpunimi dhe eurointegrimi, në qendër të takimit

23.09.2024 15:33

Eurointegrimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si dhe zhvillimet e fundit në vend janë në qendër të takimit të kryeparlamentarëve...

Eurointegrimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si dhe zhvillimet e fundit në vend janë në qendër të takimit të kryeparlamentarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Afrim Gashi dhe Elisa Spiropali. Pas pritjes solemne me nderimet më të larta shtetërore në Shkup, dy homolëgët vlerësuan se bashkëpunimi i ndërsjellë duhet avancuar pavarësisht rotacionit qeverisës në Shkup, që rruga drejt BE -së të jetë e përbashkët.
 
"Ne besojmë se kjo është shumë e rëndësishme si për dy vendet tona, ashtu edhe për vendet e tjera të rajonit, sepse ne jemi njësoj të angazhuar për zhvillimin e gjithanshëm të Ballkanit Perëndimor. Po ashtu theksuam se zgjerimi është një nga politikat më të mira të Unionit, një domosdoshmëri gjeostrategjike, por dhe investim afatgjatë për të gjithë Evropën në aspektin politik, të sigurisë dhe ekonomik.”, - deklaroi kryeparlamentari, Afrim Gashi.
 
Spiropali: BE-ja të ofrojë rrugë të qartë anëtarësimi
 
Sipas Spiropalit, BE-ja me një politikë të besueshme zgjerimi, mund të stimulojë reformat dhe të nxisë një ndjenjë shprese dhe drejtimi.
 
“Sa na përket neve, nxisim fort dhe pa asnjë mëdyshje perspektivën evropiane të RMV-së. Sa i takon Shqipërisë, anëtarësimi në BE mbetet prioriteti ynë strategjik, si në politikën e brendshme, ashtu edhe në politikën e jashtme. Modesisht, por dhe në të drejtën tonë, ne gjykojmë se BE-ja duhet të vazhdojë të ofrojë një rrugë të qartë dhe të arritshme drejt anëtarësimit për të dyja vendet tona, si dhe për të gjithë rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor.”, - deklaroi kryeparlamentarja e Shqipërisë, Elisa Spiropali.
 
Spiropali: Plotësisht të zbatohet ligji për gjuhët
 
Spiropali ka theksuar se Shqipëria me një vëmendje po ndjek zhvillimet në Maqedoninë e Veriut dhe zbatimi i gjuhës shqipe, sipas saj duhet të gjejë zgjidhje sipas Marrëveshjes së Ohrit.
 
“Presim me besim dhe shpresojmë që të zbatohet plotësisht ligji për gjuhët. Gjuha shqipe, së paku për ne shqiptarët është e shenjtë dhe ajo ka të bëjë me thelbin e identitetit tonë. Cenimi i saj në çdo formë, padyshim dhemb shumë dhe cenon pikërisht këtë identitet, që ne e ofrojmë në këtë botë të madhe, në rajon e përtej, si vlerën tonë.”, - theksoi kryeparlamentarja e Shqipërisë, Elisa Spiropali.
 
Kryeparlamentarja e Shqipërisë, gjithashtu ka theksuar rëndësinë e përfundimit të korridorit 8, që lidh Shqipërinë me Maqedoninë dhe Bullgarinë. Spiropali ka realizuar takime edhe me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, si dhe të LSDM-së, Venko Filipçe. Ahmeti ka shfaqur shqetësimin e tij për zhvillimin e marrëdhënieve ndëretnike në vend, si dhe rrënimin, sipas tij të legjitimitetit, që buron nga vullneti i qytetarëve. Ahmeti është shprehur se dy vendet duhet bashkë të rrugëtojnë drejt BE-së.
 
MERAL ISMAILI