Maqedoni
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë asgjëson qindra kilogramë ushqime të pasigurta
23.09.2024 15:46
Në shumë raste, qytetarët gjatë blerjes së produkteve ushqimore me pakicë...

Në shumë raste, qytetarët gjatë blerjes së produkteve ushqimore me pakicë, mund të kenë hasur produkte me afat të skaduar apo edhe të mos jetë çmimi i njëjtë me atë të cilën e promovojnë marketet. Për këtë rast, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë inspektuar disa lokacione, ku kanë shqiptuar edhe dënime. Por, qytetarët apelojnë që institucionet shtetërore duhet të bëjnë kontrolle më të shpeshta, por se duhet edhe vet qytetarët të bëjnë kujdes, sepse ka raste të tilla kur shitësit po e ndryshojnë edhe datën e skadimit.
“Tash më ka hyrë frika edhe po e shikoj, sepse në shumë artikuj edhe po e ndryshojnë afatin. Por, mua nuk më paguhet që për një kos ta kthej, unë kur e shikova, kosit i kishte kaluar afati dhe ishte i mykur.”, - tha një qytetar.
“Sigurisht se duhet t’i kontrollojmë ato. Kam vërejtur, edhe e kam kthyer produktin, por edhe e kanë kthyer. Atë gjithmonë e kontrolloj unë, ku të shkoj. Edhe bukë kur të marr më shpesh i shikoj, thjesht u bëj kontroll.”, - tha një qytetar tjetër.
Organizata e konsumatorëve: Qytetarët të kenë kujdes afatin
Por, nga Organizata e konsumatorëve kanë theksuar se qytetarët duhet të shikojnë për secilin produkt se si është lëvizja e çmimeve, por edhe cilësia e produktit.
“Duhet të kenë kujdes në çmimet, por edhe afatin e produktit, por flasim këtu për produktet ushqimore. Prandaj është me rëndësi që ky ligj të funksionojë, sepse kemi situata të tilla ku nuk kemi mundësi të ngremë padi kolektive për mbrojtjen e konsumatorëve, sepse padia kolektive nuk njihet tek procedurat e tilla.”, - deklaroi kryetarja e Organizatës së konsumatorëve, Marija Lonçar – Velkova.
Por, nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë theksuar se janë shqiptuar dënime të larta dhe është asgjësuar produkte ushqimore, për shkak pasigurisë së tyre.
“187 kilogramë ushqime të pasigurta janë asgjësuar, ndërsa është shqiptuar gjobë në kontrollin e jashtëzakonshëm të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Kërçovë, Strugë dhe Ohër. AUV-ja bën me dije se një market në Strugë është gjobitur me 1.400 euro për vendosjen e produkteve të pasigurta në treg. Ushqimi në masën 15 kilogramë është asgjësuar. Edhe në Strugë me 500 euro gjobë në denarë është gjobitur një kasap për vendosje të produkteve të pasigurta në treg. Janë asgjësuar 50 kilogramë ushqime me origjinë shtazore. Në Ohër, një bujtinë është gjobitur me 500 euro, ku shërbimet inspektuese të AUV-së kanë konstatuar mospërputhje dhe kanë asgjësuar 15 kilogramë ushqime të pasigurta gjatë një kontrolli të jashtëzakonshëm.”, thuhet në komunikatën e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Por, institucionet i inkurajojnë qytetarët, që në rast kur të hasin produkte me afat të skaduar, t’i lajmërojnë deri tek AUV-ja, ku më pas inspektorët e këtij institucioni do të bëjnë kontroll, ku nëse vërtetohet parregullsia, atëherë shitësi do të dënohet.
FITIM KRYEZIU
