Maqedoni
Ligji për “Branitellat”, VMRO-DPMNE: Të futet në rend dite
23.09.2024 16:00
Deputetët e VMRO-DPMNE-së insistojnë të zhbllokohet procedura për ndryshimet e ligjit për të ashtuquajturit “Branitella”...

Deputetët e VMRO-DPMNE-së insistojnë të zhbllokohet procedura për ndryshimet e ligjit për të ashtuquajturit “Branitella”. Deputetja Marija Miteva u bëri thirrje deputetëve të LSDM-së, që ta nënshkruajnë kërkesën drejtuar kryetares së komisionit, Ilire Dauti, nga “Fronti Evropian”, që Ligji për mbrojtësit, të futet në rend dite.
“Kjo kërkesë i është propozuar publikisht deputetes Slavjanka dhe presim përgjigje nëse deputetët e LSD-së do ta nënshkruajnë të njëjtën dhe nëse kryetarja e komisionit Ilire Dauti nuk thërret seancë, do të paraqesin kërkesë për shkarkimin e saj apo interpelancë.”, - deklaroi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva.
Dauti: Ky ligj nuk do të kalojë përmes meje
Kryetarja e Komisionit për Punë Sociale, Ilire Dauti, për TVM2 ka thënë se partitë politike që janë sinonim i bllokadës së punës së Kuvendit s’kanë kredibilitet për të iniciuar shkarkime ose ndonjë debllokim për punën brenda Kuvendit. Për sa kohë që nuk përfshihen edhe ushtarët e UÇK-së, ky ligj nuk do të kalojë, shton ajo.
“Janë po të njëjtit që bllokuan edhe propozim-ligje që kishin të bënin me të drejtat bazë të njeriut, siç ishte propozim-ligji për shtetësi dhe po ashtu bllokuan propozim-ligjin për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese në Komisionin, që ata udhëhiqnin si opozitë, ndërsa tani që janë pjesë e shumicës larguan nga rendi i ditës të njëjtin ligj, ashtu siç nuk thotë asnjë nen i Rregullores së Kuvendit të RMV-së. Do të vazhdojmë në punën tonë të respektojmë nenin 9 të Kushtetutës, sipas të cilit të gjithë qytetarët duhet trajtuar njëjtë, pavarësisht dallimeve. Po e përsëris, për sa kohë që Ligji nuk i përfshinë edhe ushtarët e UÇK-së, nuk do të kalojë përmes meje.”, ka thënë Ilire Dauti.
Mexhiti: Politikë ditore, që i shërben destabilizimit
Koalicioni VLEN, me qëndrim të prerë, ligji për “Branitellat” nuk kalon. Në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë”, Mexhiti ka thënë se e gjithë kjo çështje me këtë ligj është ideuar nga qeveria e kaluar.
“Dilema dhe çështja është se pse LSDM-ja, e cila deri dje luftonte për një koncept qytetar e që arriti rezultate edhe me votat e shqiptarëve, ndërsa në strukturat e saja ka anëtarë të shquar shqiptarë, pse nuk bëri asgjë për këtë sa ishte në pushtet gjatë tetë viteve të fundit? Dhe pse pikërisht tani kanë propozim për “Branitellat”? Mendoj se kjo është politikë ditore dhe i shërben destabilizimit të proceseve dhe shtetit. Pra, janë në sinkron me BDI-në, vetëm që të mos përgjigjen.”, ka thënë Mexhiti.
Ligji për “Branitellat” është dorëzuar nga Sllavjanka Petrovska e LSDM-së. Përndryshe me propozimin e Petrovskës parashihet rritje e kompensimit financiar për invalidët dhe familjet e pjesëtarëve të ARM-së, që humbën jetën në konfliktin e vitit 2001.
SANIJE DURAKU
