Botë
Protesta në Preshevë, shqiptarët kërkojnë barazi dhe drejtësi
23.09.2024 16:18
U mblodhën para stadiumit të qytetit për të shprehur pakënaqësitë, diskriminimin, shtypjen dhe shkeljen...

U mblodhën para stadiumit të qytetit për të shprehur pakënaqësitë, diskriminimin, shtypjen dhe shkeljen, që po u bëhet nga ana e Serbisë. Nën moton “Duam barazi dhe drejtësi”, qindra shqiptarë nga Lugina Preshevës marshuan deri te qendra e qytetit. Në shenjë revolte kërkuan ndërprerjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve nga Serbia, njohjen e diplomave, vende të punës dhe institucione të hapura për të gjithë.
“Kërkojmë respektimin e plotë të marrëveshjeve politike të nënshkruara mes Qeverive republikane dhe përfaqësuesve legjitim shqiptar. Kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të procesit selektiv etnik të pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanocë dhe Medvegjë dhe kthimin e të gjithë qytetarëve të pasivizuar. Kërkojmë njohjen e menjëhershme të diplomave të të rinjve shqiptar të arritura në universitetet e Republikës së Kosovës konform marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel dhe Uashington.”, - deklaroi kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Kërkesat e shqiptarëve janë të kamotshme, e kamotshme është edhe heshtja e shtetit serb, e cila e ka mohuar vazhdimisht se shqiptarët në këtë vend janë të diskriminuar.
Protestuesit marshuan gjithashtu pranë institucioneve duke mbajtur pankarta me mbishkrime si: “Stop pasivizmit selektiv”, “Duam libra shqip” dhe “Kthema adresën”. Ishin të veshur me fanella me mbishkrimin “Për identitet dhe dinjitet”.
Marshit i priu edhe përfaqësuesi i vetëm i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi. Ata ndaluan edhe pranë ndërtesës së komunës së Preshevës, ku u këndua himni kombëtar shqiptar.
Kjo është protesta e dytë e shqiptarëve të Luginës në dy muajt e fundit, pas asaj në Bujanoc në gusht. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe në Serbi, përkatësisht në këtë shtet jetojnë 61.687 shqiptarë.
ARMEND MURSELI
