Sulmet ajrore izraelite vrasin mbi 500 njerëz në Liban

24.09.2024 10:27

Mbi 500 njerëz janë vrarë si pasojë e bombardimeve...

Mbi 500  njerëz janë vrarë si pasojë e bombardimeve të ashpra izraelite ndaj shënjestrave të Hezbollahut në Liban, tha Ministria e Shëndetësisë e Libanit. Ushtria izraelite kreu të hënën sulme të mëdha intensive ndaj Hezbollahut, grupit militant të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Ushtria Izraelite tha se i goditi 1.600 shënjestra të Hezbollahut në përpjekje për ta shkatërruar infrastrukturën që ky grup i armatosur, e që e kishte ndërtuar pas luftës së vitit 2006.

Hezbollahu, ndërkohë, i shkrepi mbi 200 raketa në veri të Izraelit, sipas ushtrisë.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se 35 fëmijë dhe 58 gra janë në mesin e të vrarëve, derisa 1.645 njerëz të tjerë janë plagosur.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, iu drejtua popullit libanez përmes një videoje.

“Lufta e Izraelit nuk është kundër juve, është kundër Hezbollahut. Hezbollahu ka kohë të gjatë që është duke ju përdorur si mburojë njerëzore”, tha Netanjahu drejtuar libanezëve. Hezbollahu është përballur me trysni të madhe në javët e fundit, pasi javën e kaluar mijëra pajisje komunikimi – pejxherë dhe radiolidhje – të përdorura nga pjesëtarët e saj shpërthyen.Për shpërthimin e këtyre pajisjeve Hezbollahu e ka fajësuar Izraelin, i cili as nuk e ka pranuar e as mohuar përgjegjësinë.

Hezbollahu ka thënë se do të vazhdojë të kryejë sulme derisa të arrihet një armëpushim në Rripin e Gazës.