Mickoski i përgjigjet Snopçës dhe Ahmetit: U dëshiroj fat!

24.09.2024 15:55

Kryeministri, Hristijan Mickosk...

Kryeministri, Hristijan Mickoski, ka komentuar deklaratën e deputetit të koalicionit VLEN, Halil Snopçe, se nëse shfuqizohet Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe miratohet Ligji për “Branitellat”, VLEN-i do të dalë nga Qeveria. Mickoski me përgjigje:

"I dëshiroj fat!", - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.

Përgjigje të njëjtë kishte edhe për liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili paralajmëroi protesta për Ligj apo ndryshime kushtetuese për legjitimitet.

“Edhe atij i dëshiroj shëndet dhe fat!”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.

Mickoski: E respektojmë gjuhën shqipe, është përparuar

Në pyetje të gazetarëve për të komentuar deklaratën e djeshme të kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, se rrezikimi ndaj gjuhës shqipe rrezikon edhe identitetin e shqiptarëve, Mickoski përgjigjet:

“Ne nuk kemi një qëllim të tillë. Ne e respektojmë atë identitet dhe veçantinë e shqipes, maqedonishtes dhe të gjitha gjuhëve të tjera të përdorura nga qytetarët e Maqedonisë. Unë personalisht i respektoj. Nëse ju kujtohet, sivjet në festën në Meçkin Kamen, më 2 gusht, manifesti u lexua edhe në gjuhën shqipe, jo vetëm në gjuhën maqedonase. Ne nuk flasim, ne dëshmojmë me vepra. Ka politikanë që flasin, por nuk bëjnë asgjë, por ka politikanë që nuk flasin, por veprojnë. Pra, jo vetëm që nuk është e rrezikuar, por edhe është përmirësuar.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.

Ligji për "Branitellat" është në procedurë parlamentare, në Komisionin për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, pasi kryetarja, Ilire Dauti, pjesë e "Frontit Evropian", javën e kaluar refuzoi të caktojë seancë për këtë projektligj. Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti nga Nju Jorku ka deklaruar se Ligji për "Branitellat" është provokim dhe nuk do të miratohet.

Reagimet nuk kanë munguar as për mekanizmin e “balancuesit” për të cilin pritet vendim final nga Gjykata Kushtetuese.

Sa i përket përfaqësimit të drejtë, nga koalicioni VLEN kanë paralajmëruar Ligji, që do të garantojë përfaqësim të drejtë dhe adekuat, ndërsa për BDI-në heqja e mekanizimit të “balancuesit” është vetëm fillimi i shkatërrimit të marrëdhënieve ndëretnike të ndërtuara me shumë vështirësi. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)