Botë
Stërvitja Shqipëri - Mbretëri e Bashkuar, Vëngu: E domosdoshme për sigurinë në rajon
24.09.2024 16:16
Rajoni dhe Evropa Juglindore janë nën kërcënimin e influencave malinje, ndaj duhet bashkëpunim më i madh me aleatët...

Rajoni dhe Evropa Juglindore janë nën kërcënimin e influencave malinje, ndaj duhet bashkëpunim më i madh me aleatët, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu. Gjatë një aktiviteti në kuadër të stërvitjes së përbashkët me trupat britanike, ai konfirmoi edhe gatishmërinë për t’u zhvilluar si një pikë strategjike e NATO-s, përmes përmirësimit të infrastrukturës ushtarake.
“Misioni ynë është që të forcojmë sigurinë në një kohë kur Evropa Juglindore është vazhdimisht nën kërcënimin e influencave malinje, që kërkojnë të destabilizojnë rajonin. Dhe për të arritur këtë, duhet të rrisim edhe në nivelin e bashkëpunimit me aleatët tanë. Shqipëria konfirmon kështu përkushtimin e plotë për të çuar përpara planet e zhvillimit infrastrukturor dhe këtu del në skenë infrastruktura portale në Durrës dhe në Kompleksin Durrës-Porto Romano, pjesë jetike për të hyrë në korridorin 8 dhe jetike për një logjistikë dhe lëvizshmëri operacionale të rrjedhshme në të gjithë rajonin.”, - deklaroi ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu.
Peach: Lufta në Ukrainë duhet të rrisë vigjilencën
I dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, tha se lufta në Ukrainë duhet të rrisë vigjilencën për sigurinë në Evropë.
“Me luftën që ndodh në Ukrainë është e rëndësishme të kujtojmë rëndësinë e sigurisë në Evropë. Ky duket aktivitet i vogël, teksa kuptova se një pjesë e ushtarakëve shqiptarë do të shkojnë në Gazë, pra këto kapacitete të veçanta që ne kemi në vendin tonë dhe në vendin tuaj, duhet të bashkëpunojmë për të kuptuar gjeografinë e kontinentit tonë.”, - theksoi i dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar për BP, Lord Stuart Peach.
Forcat e Armatosura shqiptare kanë nisur stërvitjen e përbashkët me trupat britanike që nga 18 shtatori, stërvitje që do të vazhdojë deri më 13 tetor në afërsi të Bazës Detare të Pashalimanit.
LULJETA NDOKA
