Botë
Njëvjetori i vrasjes së Afrim Bunjakut, Kurti: Serbia, përgjegjëse për sulmin në Banjskë
24.09.2024 16:37
Kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë shtetëror kane bërë homazhe pranë varrit të policit të vrarë, Afrim Bunjakut...

Kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë shtetëror kane bërë homazhe pranë varrit të policit të vrarë, Afrim Bunjakut, në njëvjetorin e vrasjes së tij, gjatë sulmit të armatosur në Banjskë, nga grupi i Radojçiqit. Bunjaku humbi jetën duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, tha Kurti, duke shtuar se përgjegjëse për sulmin në Banjskë është Serbia dhe se ajo duhet te japë përgjegjësi. Kurti, për këtë kërkoi edhe ndihmën e ndërkombëtarëve.
“Serbia është përgjegjëse, andaj Serbia duhet të japë përgjegjësi. E në këtë pikë, ne kërkojmë mbështetjen, ndihmën, përkrahjen e faktorëve ndërkombëtarë. Idealet e dëshmorëve për neve do t’i jetësojmë e po i jetësojmë, ndërkaq kujtimin tonë për ta do ta përjetësojmë e po e përjetësojmë. Sot në Banjskë të Zveçanit është vendosur tabela në të cilën shkruan rruga “Afrim Bunjaku”. Kjo është rruga e të gjithë neve.”, - deklaroi kryeministri, Albin Kurti.
Homazhe kane bërë edhe disa ambasadorë të akredituar në Kosovë, përfshi shefin e zyrës së BE-së në Prishtinë, Aivo Orav. Ky i fundit ka thënë se BE-ja bën thirrje për ndjekje të shpejtë penale të atyre që janë përgjegjës dhe ripohon përkushtimin e saj ndaj drejtësisë dhe llogaridhënies. Rreshteri Afrim Bunjaku është vrarë më 24 shtator të vitit të kaluar në Bajnskë të Zveçanit nga grupi terrorist i Milan Radojçiqit. Nga sulmet e grupit terrorist ishin të plagosur edhe dy policë të tjerë të Kosovës, ndërsa u vranë tre pjesëtarë të grupit të Radojçiqit.
GYLTENE SINANI
