Botë
Bashkësia ndërkombëtare për Lindjen e Mesme: Të depërshkallëzohet situata sa më shpejt
24.09.2024 16:58
Ushtria izraelite kreu sulmet më intensive ajrore kundër objektivave të Hezbollahut në Liban...

Ushtria izraelite kreu sulmet më intensive ajrore kundër objektivave të Hezbollahut në Liban. Qindra njerëz u vranë, duke përfshirë dhjetëra fëmijë dhe gra, mijëra u plagosën.
“Njerëzit që erdhën në spitale ishin civilë, duke përfshirë një numër të madh grash dhe fëmijësh.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë në Liban, Firas Abaid.
Tel Avivi paralajmëron se grupi militant po përdor civilët si mburojë njerëzore dhe shtëpitë e tyre si depo për armët vdekjeprurëse. Kryeministri Netanjahu i tha popullit libanez, që ta marrin seriozisht paralajmërimin e evakuimit.
“Ne nuk po kërkojmë luftëra. Ne duam të hedhim poshtë kërcënimet. Ajo duhet të jetë një zonë e sigurt, ku Hezbollahu do të largohet nga kufiri dhe nuk do të ketë raketa, avionë që kërcënojnë komunitetet tona, qytetarët tanë. Ky është misioni ynë dhe ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta arritur atë.”, - deklaroi zëdhënësi i Ushtrisë Izraelite, Daniel Hagari.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit thotë se ata kanë shkatërruar dhjetëra mijëra raketa nga arsenali i madh i grupit të mbështetur nga Irani. Mes sulmeve të ashpra, Hezbollahu tërheq luftëtarët e tij nga pjesë të Sirisë.
“Ajo që Hezbollahu ka ndërtuar gjatë një periudhe 20-vjeçare, në fakt është shkatërruar nga ne dhe ky operacion është shumë mbresëlënës. Kjo është java më e vështirë për Hezbollahun që nga formimi i tij dhe rezultatet flasin vetë.”, - u shpreh ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Joav Galant.
MPJ-ja egjiptiane paralajmëron se përshkallëzimi aktual mund të çojë në një luftë të përgjithshme rajonale. Iraku ka thënë se synon të organizojë një takim urgjent të delegacioneve arabe në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të këtij viti. Nga Uashingtoni dhe Brukseli, me qëndrim se është e rëndësishme që konflikti të zgjidhet shpejt.
“Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do të dërgojnë trupa shtesë në Lindjen e Mesme, pa dhënë detaje se cili do të jetë misioni i tyre Konflikti përgjatë Linjës Blu ka zgjatur shumë dhe duhet të zgjidhet shpejt. Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë bisedime diplomatike, të punojmë për një marrëveshje armëpushimi.”, - deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karin Xhen – Pierr.
Situatë e tensionuar mbretëron në Gazë. Ushtria izraelite synon kampin e refugjatëve Nusejrat. Aksioni më i fundit ushtarak në Lindjen e Mesme pason dy valë shpërthimesh vdekjeprurëse me telekomanda të përdorur nga militantët e Hezbollahut. Në këto operacione, dhjetëra njerëz humbën jetën, ndërsa qindra të tjerë u plagosën.
FLUTURA LATIFI
