Maqedoni

Bruksel, Murtezani për integrimet: Mbetemi të përkushtuar, presim avancim

24.09.2024 17:41

Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, pjesëmarrës në Bruksel në takimin zyrtar të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian...

Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, pjesëmarrës në Bruksel në takimin zyrtar të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian. Me këtë rast, ministri i resorit ka thënë se Maqedonia e Veriut mbetet plotësisht e përkushtuar në përmbushjen detyrimeve dhe reformave të nevojshme për ta tranformuar shoqërinë  në përputhje me rregullat dhe standardet e BE-së. Por, njëherit thekson pritjen e vendit për integrim të plotë në vitin 2030.
 
“Jemi të vetëdijshëm për kompleksitetin dhe kërkesat që lindin nga ky rrugëtim, por jemi të gatshëm për bashkëpunim të ngushtë me Komisionin dhe Komisarin e ri për zgjerim, duke u mbështetur në përvojat e vlefshme të vendeve anëtare të BE-së. Qëllimi ynë është i qartë: t’i përmbushim të gjitha reformat e domosdoshme deri në vitin 2028 dhe të jemi të përgatitur për hyrje në BE deri në vitin 2030, siç u premtua në konferencën e parë ndërqeveritare.”, thuhet në komunikatën e Ministrisë për Eurointegrime.
 
Boka: Hungaria, prioritet integrimin e Ballkanit
 
Ministri i Çështjeve Evropiane nga Hungaria, Janos Boka, edhe nëjherë ka theksuar se si vend udhëheqës me Unionin janë të vendosur në politikën e zgjerimit, sidomos me vendet aspirante të rajonit tonë.
 
“Një nga prioritetet kryesore të presidencës hungarese është që të ndjekë politikë të zgjerimit të balancuar dhe të bazuar në merita. Ne synojmë t’i japim momentum të ri procesit të  integrimit të Ballkanit Perëndimor, duke pranuar se BE-ja nuk është e plotë pa përfshirjen e tyre. Ne presim të bëjmë progres të theksuar për aderimin e këtyre vendeve dhe gjithashtu bashkëpunim të thellë  për samitin që vjen për Ballkanin Perëndimor dhe komunitetin politik evropian.”, - deklaroi ministri i Eurointegrimeve në Hungari, Janos Boka. 
 
Në mbledhjen e Këshillit për Punë të Përgjithsme për herë  të  parë kanë marrë pjesë: Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria dhe Serbia, duke u përfshirë në Raportin e Komisionit Evropian për sundimin e së drejtës. Ministrave të vendeve kandidate u është ofruar mjedis gjithëpërfshirës, së bashku me ministrat e vendeve anëtare të Unionit, që të shkëmbejnë mendime për çështjet lidhur me sundimin e së drejtës.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU