Sulmi në Banjskë, sillen në gjykatë tre të dyshuarit

25.09.2024 12:12

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë....

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë sjellë tre të dyshuarit për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoja Spasojeviq janë tre të dyshuarit që prej 24, përkatësisht 25 shtatorit gjenden në masë të paraburgimit. Për 42 të pandehurit e tjerë të rastit “Banjskë” është propozuar që gjykimi të mbahet në mungesë të tyre.

Dje janë bërë një vit nga sulmi në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë zyrtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Lidhur me sulmin e vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, dy javë më parë ngriti aktakuzë ndaj 45 personave.

Prokurori i rastit, Naim Abazi, kishte thënë se ky rast përfshin ngritjen e aktakuzës kundër një grupi të strukturuar kriminal të përbërë nga 45 persona, të cilët dyshohen për veprat penale kundër rendit kushtetues juridik, kryerje të  veprave terroriste, financim të terrorizmit dhe shpëlarje parash.

“Ndër të akuzuarit kryesor është edhe udhëheqësi kryesor i grupit, Milan Radojçiq, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale.”, kishte deklaruar Abazi.