Prokuroria Themelore Publike, akuzë për Besija Iljazin, keqpërdori detyrën
25.09.2024 12:53
Prokuroria Themelore Publike - Shkup ka ngritur propozim - akuzë kundër ish-drejtoreshës ekonomike të Klinikës së Toksikologjisë...

Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike - Shkup ka ngritur propozim - akuzë kundër ish-drejtoreshës ekonomike të Klinikës së Toksikologjisë, Besija Iljazi, për veprën penale keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353 paragrafi 1 i Kodit Penal. Prokuroria akuzon se Iljazi, në cilësinë e drejtoreshës organizative të Toksikologjisë ka tejkaluar kompetencat e saj zyrtare, me qëllim që të mundësojë përfitim pasuror të kundërligjshëm për 17 persona.
“Duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktin e Interesit, Kodin Zgjedhor dhe Ligjin për Kujdesin Shëndetësor, ajo në maj të këtij viti ka lidhur kontrata pune me personat për punësimin e tyre në Klinikë, pas së cilës ka nxjerrë në mënyrë retroaktive urdhërpagesat me të cilat u ka paguar atyre kompensim mujor për punësimin e tyre të mëparshëm të supozuar. Në listë ka shtuar persona me të cilët nuk është lidhur fare kontratë pune dhe të cilëve u është paguar edhe kompensimi për gjoja punët e kryera. Në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i Klinikës në shumë prej 659.781 denarë, ndërsa të punësuarve u është siguruar përfitim pasuror i kundërligjshëm.”, thonë nga Prokuroria.
Për këtë rast, Ministria e Punëve të Brendshme, më 12 korrik ka ngritur kallëzim penal ndaj ish-ushtrueses së detyrës drejtoreshë organizative e Klinikës Universitare për Toksikologji. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, nga ana tjetër ka hapur lëndë për kontroll të të dhënave për gjendjen pronësore dhe interesave të Besija Iljazi. Përbërja e re qeveritare e largoi këtë funksion nga klinikat, me çka shkarkoi të gjithë drejtorët organizativ, përfshi edhe Besija Iljazin.
FLORIJE KAMBERI
