Botë

Tiranë, SPAK-u mbyll hetimet për dosjen “Partizani”

25.09.2024 14:59

SPAK-u mbylli hetimet për dosjen “Partizani” mbi procedurat korruptive, sipas prokurorisë së Posaçme...

SPAK-u mbylli hetimet për dosjen “Partizani” mbi procedurat korruptive, sipas prokurorisë së Posaçme, për privatizimin e ish-klubit sportiv, mbi truallin e të cilit u ndërtuan 19 kulla nga dhëndri i ish-kryeministrit, Berisha.
 
Hetimet 4-vjeçare u mbyllën me 5 të pandehur, ish-kreun e Qeverisë, Sali Berisha, nën akuzë për korrupsion pasiv bashkë me dhëndrin, Jamarbër Malltezi; ndërtuesin, Fatmir Bektashi; biznesmenin Xhimi Begeja dhe financieren Andia Pustinën.
Avokatët e të pandehurve u paraqitën njëri pas tjetrit në SPAK për tërheqjen e akteve hetimore me të gjitha provat kundër tyre.
 
Që nga kjo e mërkurë, brenda 10 ditëve, avokatët dhe të pandehurit duhet të paraqesin kundërshtimet e tyre në lidhje me aktet e vëna në dispozicion nga SPAK-u.
 
Më tej, Prokuroria e Posaçme do të vendosë për dërgimin e dosjes në Gjykatë, që me shumë gjasa do të ndahet në fraksione, duke e lënë ende të hapur pjesën e saj, të cilat lidhen me vendime të tjera të marra nga ish-kryeministri.
 
Dërgimi në Gjykatën e Posaçme do të jetë përballja e parë reale e Berishës dhe dhëndrit të tij me drejtësinë shqiptare. I njëjti gjyqtar në seancë paraprake, mund ta rikthejë dosjen në SPAK për hetime të mëtejshme ose ta pushojë çështjen. 
 
LULJETA NDOKA