Maqedoni

“Balancuesi” dhe “Branitellat” përplasin partitë, Taravari: Aktualizohen qëllimisht nga opozita

25.09.2024 16:00

Marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit janë korrekte, kjo Qeveri do të vazhdojë të funksionojë...

Marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit janë korrekte, kjo Qeveri do të vazhdojë të funksionojë, ka strategji afatgjatë, por konsultime dhe sinkronizim më të shpeshtë mes partive në pushtet janë të nevojshme. Kështu deklaroi ministri i Shëndetësisë dhe kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, nga Nju Jorku, duke komentuar deklaratën e deputetit, Halil Snopçe, se nëse shfuqizohet Ligji për përdorimin e gjuhëve, por edhe nëse miratohet ligji për “Branitellat”, VLEN-i do të largohet nga Qeveria. Taravari, në lidhje me “Balancuesin” dhe Ligjin për Gjuhët, thotë se të njëjtat janë 5 vite te Kushtetuesja dhe nuk është rastësi që pikërisht tani aktualizohen këto tema. Për të, këto çështje aktualizohen qëllimisht nga partitë opozitare.
 
“Imagjinoni, pesë vjet janë kërkesat për “Balancuesin” dhe përdorimin e gjuhës shqipe, dhe pikërisht tani po aktualizohet dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese po e vendos në rend dite për të treguar se duhet diçka e re. Ne në përgjithësi jemi të sinkronizuar dhe kemi thënë se duhet një ligj për përfaqësim të drejtë, jo vetëm të bashkësive etnike, por përfaqësim të drejtë të të gjitha kategorive që jetojnë në shtet, ndaj do të shohim me një ligj që ta mbulojmë heqjen e “Balancuesit”. Ne e dimë se sa është keqpërdorur “Balancuesi”, kush si ka dashur e ka keqpërdor, kanë bërë deklarata noteriale për përkatësinë etnike, edhe nëse nuk kanë qenë të asaj etnie.”, - deklaroi kryetari i ASh-së, Arben Taravari. 
 
АSh - krahu i Selës reagon ndaj Taravarit: Nuk është normalitet shfuqizimi i “Balancuesit”
 
Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës, ka reaguar ndaj deklaratës së Taravarit se me VMRO-në kanë raporte normale si partnerë qeveritarë. 
 
“Nuk është normalitet as shfuqizimi i mekanizmit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe lënia e fatit të shqiptarëve vetëm në dorën e qeveritarëve maqedonas, të cilët tanimë kanë treguar qëndrimin e tyre për uljen e përqindjes së shqiptarëve në institucione. Nuk është normalitet as tendenca për abrogimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe.”, thuhet në reagim. 
 
LSDM: Mos bëni teatër, merruni me problemet reale
 
Shndërrimin e “Balancuesit” në Ligj për përfaqësim të drejtë, LSDM-ja e cilëson si teatër, që Qeveria u servon qytetarëve për të larguar opinionin nga problemet reale që ka ekzekutivi. 
 
“Qytetarët presin zgjidhjen e problemeve reale që kanë, presin rritje të pagave, presin masa për ballafaqim real me çmimet, e jo dhe projekte, e jo teatër ose porosi që partnerët e koalicionit i përcjellin përmes mediave. Për mua, kjo është një teatër i pastër për të larguar vëmendjen e qytetarëve nga problemet reale me të cilat ballafaqohet kjo Qeveri në 100 ditët e para të qeverisjes.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Jovan Mitrevski.
 
LSDM-ja ka dorëzuar kërkesë që të mblidhet Komisioni për çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit, me qëllim që të shqyrtohet, nëse kreu i Kuvendit, Afrim Gashi, ka shkelur Rregulloren e punës, pasi, sipas tyre, ka refuzuar të thërret seancën e Komisionit për Punë dhe Politikë Sociale, lidhur me propozim-ligjin për “Branitellat”, pasi kryetarja e komisionit, Ilire Dauti, tha se “asnjëherë nuk do ta vendosë në rend dite”. 
 
SANIJE DURAKU