Botë

Hezbollahu lëshoi raketë balistike në Tel Aviv, Izraeli pretendon se raketa është kapur

25.09.2024 16:21

Hezbollahu gjuajti një raketë balistike në Tel Aviv për herë të parë, ndërsa mbrojtja izraelite e kapi atë...

Hezbollahu gjuajti një raketë balistike në Tel Aviv për herë të parë, ndërsa mbrojtja izraelite e kapi atë. Grupi militant dyshohet se synonte selinë e shërbimit inteligjent Mosad. Një shtëpi në Safed u godit nga breshëria e fundit e raketave nga Libani. Tel Avivi u hakmor me forcë, duke vazhduar sulmet e përhapura ndaj objektivave të Hezbollahut, duke përfshirë komandantët e grupit.

 
“Ne goditëm një kat të një ndërtese, ku komandanti i Hezbollahut, Ibrahim Kobeisi, ishte i pranishëm së bashku me komandantët e tjerë. Ai është përgjegjës për sulmet në Haifa, përfshirë sulmin me raketa të mëngjesit të sotëm. Sot, 300 raketa u hodhën në drejtim të Izraelit. Gjashtë civilë dhe ushtarë u plagosën, shumica prej tyre lehtë.”, - deklaroi zëdhënësi i Forcave Izraelite, Daniel Hagari. 
 
Banorët e Izraelit u alarmuan, por udhëzimet e mbrojtjes civile mbetën të pandryshuara.
 
“Ishte pak stresuese sot në mëngjes, kur sirenat ranë në dy minutat e para. Por, këtu tani, gjithçka vazhdoi si zakonisht.”, - tha banori i Tel Avivit, Maoz Roitman.  
 
“Situata është e vështirë, ne ndjejmë presion. Kjo po zgjat shumë. Këtë mëngjes kujtuam se si ndihet në veri dhe në jug.”, - tha banorja e Tel Avivit, Hedva Fadlon.  
 
Në të njëjtën kohë, avionët izraelitë kapën edhe një dron nga Siria. Netanjahu thotë se do të vazhdojë sulmet derisa të arrijë qëllimin e tij.
 
“Ne do të vazhdojmë të sulmojmë Hezbollahun. Unë i them popullit të Libanit: Lufta jonë nuk është me ju, lufta jonë është me Hezbollahun. Nasralah të çon në buzë të humnerës. Unë ju thashë të evakuoni shtëpitë. Hiqni qafe kontrollin e Hezbollahut.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu. 
 
Izraeli po e shtyn rajonin në luftë totale, kanë akuzuar Iraku, Egjipti dhe Jordani, duke dënuar agresionin e Izraelit kundër Libanit. Tone zhgënjyese edhe nga Bejruti pas fjalimit lamtumirës të Bajdenit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, i cili tha se edhe nëse situata përshkallëzohet, një zgjidhje diplomatike është ende e mundur.
 
“Nuk ishte e fortë dhe jo premtuese. Nuk do ta zgjidhë këtë problem. Por, unë ende shpresoj që Shtetet e Bashkuara të jenë i vetmi vend, që mund të bëjë vërtet një ndryshim në Lindjen e Mesme, si dhe në Liban.”, - u shpreh ministri i Jashtëm i Libanit, Abdallah Bohabib.
 
Dhuna ndërkufitare midis Izraelit dhe Hezbollahut filloi pas luftës së Gazës pas sulmeve të 7 tetorit dhe u ndez pas shpërthimeve të pejxherëve në të gjithë Libanin, duke vrarë dhjetëra dhe plagosur qindra persona. 
 
FLUTURA LATIFI