Botë

Tërmet në Nepal, humbin jetën rreth 700 persona

25.04.2015 18:02

Një tërmet i fuqishëm prej 7.9 ballë ka tronditur Nepalin, duke u marrë jetën qindra personave...

Një tërmet i fuqishëm prej 7.9 ballë ka tronditur Nepalin, duke u marrë jetën qindra personave, me bilanc gjithnje në rritje per shkak te rrenimit te disa objekteve te banimit.
 
Autoritet në Nepal bëjnë të ditur se dëmet e shkaktuara janë masive ndërsa situata më emergjente se kurrë.
 
Në kryeqytet janë shkatëruar një numër më i madh i rrugëve, u shkatëruan ndërtesa ndërsa është dëmtuar edhe aeroporti ndërkombëtarë i cili për shkaqe sigurie një kohë më të gjatë do të mbetet i mbyllur. Autoritete kërkojnë ndihmë ndërkombëtare për tia dalë ballë kësaj tragjedie.
 
“Na duhet mbështetje nga agjencitë e ndryshme ndërkombëtare, që kanë aftësitë dhe pajisjet e duhura për t’u përballur me këtë lloj emergjence“, shprehet ministri i informacionit Minendra Rija.
 
Tërmeti i fuqishëm shkatërroi edhe kullën Dharahara në Katmandu, ku banorët dolën nëpër rrugë, ndërsa të plagosurit u dërguan në spitalin kryesor. Rrjetet e telefonisë së lëvizshme dolën nga funksioni. 
 
“Isha në shtëpi duke shikuar televizion dhe paparitmas rash për toke. Vrapova jasht dhe atëherë e kuptova se kishte tërmet. Më pas vrapova aq shpejt deri tek një vend i sigurt”,shprehet banori i Katmandusë, Ram Kumar.
 
Ndërkohë, lëkundjet sizmike janë ndjerë edhe në Nju Delhi dhe qytete të tjera në veri të Indisë, si dhe në Pakistan, ku janë regjistruar viktima, por ende nuk dihet me saktësi numri i tyre.
 
Kryeministri indian Narendra Modi ka mbledhur ministrat e kabinetit të tij për të diskutuar mbi situatën, ndërsa ai pakistanez ka bërë thirrje për ndihmë në mbështetje të autoriteteve nepaleze.
 
MERAL ISMAILI