Putini paralajmëron Perëndimin se Rusia mund t’i përdorë armët bërthamore
Presidenti Vladimir Putin paralajmëroi Perëndimin...

Presidenti Vladimir Putin paralajmëroi Perëndimin se Rusia mund t’i përdorë armët bërthamore, nëse goditet me raketa konvencionale. Ai tha se çdo sulm ndaj Rusisë me mbështetjen e një fuqie bërthamore do të konsiderohej nga Moska si sulm i përbashkët.
Presidenti Putin tha në hapje të takimit të Këshillit të Sigurimit të Rusisë, se doktrina e re bërthamore reflektonte ndryshimet globale, të cilat paraqesin rreziqe dhe kërcënime të reja për Rusinë.
Udhëheqësi 71-vjeçar i Kremlinit, vendimmarrësi kryesor për arsenalin e madh bërthamor të Rusisë, tha se donte të nënvizonte në veçanti një ndryshim kyç.
“Propozohet që agresioni kundër Rusisë nga çdo shtet jo bërthamor, por me ndihmën ose mbështetjen e një shteti bërthamor, të konsiderohet si sulm i tyre i përbashkët ndaj Federatës Ruse.”, tha presidenti, Putin.
Rusia rezervon të drejtën që gjithashtu të përdorë armë bërthamore nëse ajo ose Bjellorusia aleate do të ishin objektiv i një agresioni, përfshirë sulmet me armë konvencionale, tha presidenti, Putin. Udhëheqësi rus tha se sqarimet ishin kalibruar me kujdes dhe në përpjesëtim me kërcënimet ushtarake moderne me të cilat përballet Rusia, një konfirmim se doktrina bërthamore po ndryshonte.
Doktrina bërthamore aktuale, e miratuar me një dekret nga presidenti Putin në vitin 2020, thotë se Rusia mund të përdorë armë bërthamore në rast të një sulmi bërthamor nga një vend armik ose një sulmi konvencional që kërcënon ekzistencën e saj.
