Mbledhja e Komisionit për mandate dhe imunitet, Gashi: Nuk jam kompetent të gjykoj Dautin
Kryeparlamentari Afrim Gashi...

Kryeparlamentari Afrim Gashi ndjehet jokompetent për të thirrur Komisionin për çështje sociale, për të ashtuquajturin Ligj të “Branitellave”, por thotë se javën tjetër do të thërrasë Komisionin për çështje të mandatit dhe imunitetit për interpretime të rregullores.
Kjo ishte kërkuar nga LSDM-ja, pasi së fundmi kryetarja e Komisionit për politikë sociale, Ilire Dauti, nuk mblodhi Komisionin për Ligjin e të ashtuquajturve “Branitella” të propozuar nga socialdemokratët.
Gashi është i përmbajtur, nëse Dauti do të jetë në qendër të debatit. Ai si jokompetent nuk deklarohet nëse ajo ka bërë shkelje, pasi sipas tij, kjo është vetëm çështje interpretimi.
“Unë jam kryetar i Kuvendit, i cili e implementon rregulloren, por jo i cili gjykon. Nuk jam këtu për të gjykuar kush e thyen rregulloren apo jo, nuk është e drejta ime, është çështje interpretimi nga palët në aspektin politik, juridik të ekspertëve, d.m.th. mbetet çështje e interpretuar dhe e vlerësimit të palëve të ndryshme të interesuara për këtë çështje. Sa i përket kësaj, mendoj se është çështje e absolvuar dhe do të duhet të shohim në të ardhmen nëse kemi problem me rregulloren. Atëherë, Komisioni për mandate dhe për rregullore do të duhet t’i shqyrtojë nenet e rregullores, të cilat janë në kolizion njëra me tjetrën.”, - deklaroi kryeparlamentari, Afrim Gashi.
Filipçe: Të shohim si do të vijojë puna e komisionit
Nga LSDM-ja ripërsërisin se kryeparlamentari është i obliguar të thërrasë Komisionin e politikës sociale. Nuk konkretizojnë hapat e mëtejmë, nëse kërkesa e radhës do të ishte interpelancë për deputeten Dauti, ashtu siç pretendon VMRO-DPMNE-ja.
“Do të shohim se çfarë do të ndodhë me komisionin dhe me këto veprime dhe instrumente të cilat praktikisht janë në duart e kryetarin të Kuvendit dhe në përputhje me këtë do të vendosim.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Ligji për përfaqësim të drejtë etnik, Gashi: Kam informacione se po përgatitet ligji
Sa i takon Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat etnik në institucione, kryeparlamentari Gashi thotë se ka informacion se po përgatitet ligji.
“Në funksion të kryetarit të Parlamentit nuk mund të deklarohem për këtë çështje, por duke qenë në Parlament dhe duke qenë në kontakt me deputetët e të gjitha partive politike kam informacione se po përgatitet një ligj i tillë.”, - u shpreh kryeparlamentari, Afrim Gashi.
Përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve u aktualizua, pasi Kushtetuesja hapi lëndë për shfuqizimin eventual të së njëjtës. (Meral Ismaili, TVM2)
