Forumi “Mobilizimi i resurseve dhe decentralizimit”, 250 milionë euro nga rebalanci

26.09.2024 14:57

Përforcimi i kapaciteteve për rritjen e të ardhurave komunale...

Përforcimi i kapaciteteve për rritjen e të ardhurave komunale, shfrytëzimi i resurseve, avancimi i procesit të decentralizimit, përmirësimi i transparencës dhe llogaridhënie të vetëqeverisjes lokale, ishin temat më kryesore në forumin me temë “Strategjia për bashkëpunim në mobilizim të qëndrueshëm të resurseve dhe decentralizimit”. Ky projekt ka dhënë rezultate të para pozitive, konstatuan pjesëmarrësit në këtë forum.

“Gjatë vitit 2023, krahasuar me vitin 2022, komunat partnerë të këtij projekti kanë evidentuar rritjen e të ardhurave të tyre komunale për 22.32 për qind, duke tejkaluar rritjen e tyre për 10.26 për qind, i fituar gjatë vitit 2022.  Kuptohet se progresi është rezultat i punës sonë të përbashkët.”, - deklaroi drejtori i projektit të USAID-it, Bardhyl Marku.

“Ne si komuna e Tetovës seriozisht po punojmë në këtë drejtim, ku ky është viti i dytë ku është dyfishuar mbledhja e të ardhurave nga tatimi i pronës dhe njëkohësisht po punojmë për përfitimin e resurseve shtesë nga pushteti qendror dhe nga institucionet ndërkombëtare.”, - deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Me rebalancimin e fundit të buxhetit, Qeveria siguroi mbështetje financiare në vlerë prej 250 milionë eurosh për projekte të infrastrukturës kapitale të komunave.

BNjVL dhe Ministria: Do të përmirësohen kushtet nëpër komuna

Përfaqësuesit e BNjLV-së dhe të Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale janë të bindur se këto mjete komunat do t’i shfrytëzojnë në maksimum dhe do të përmirësojnë kushtet  nëpër komuna.

“Të gjitha komunat kanë aplikuar dhe besoj se nuk do të ndodhë që ndonjë komunë të refuzohet ose të hollat të mos mbërrijnë në xhirollogaritë e tyre. Përkundrazi vlerësoj se me këto mjete do të zgjidhin problemet dekadëshe lidhur me infrastrukturën nëntokësore dhe problemeve të tjera, të cilët komunat nuk kanë mundur t’i zgjidhin vetë. Po ashtu do të zgjidhen problemet në fushën e arsimit, duke ndërtuar shkolla të reja, do të shtohen numri i vendeve të lira nëpër kopshte.”, - theksoi kryetari i BNjLV-së, Orce Gjorgjievski.

“Ministria do ta ndjekë dhe monitorojë procesin, mirëpo implementimi i mjeteve është në përgjegjësi të plotë të vetëqeverisjeve lokale. Shpresoj ky mjet  do t’u mundësojë komunave, që në mënyrë adekuate dhe të përgjegjshme të disponojnë me ato mjete financiare dhe do të ndihmojë në procesin e digjitalizimit. Për ne, si Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, paraqet  imperativ për ta zbatuar ku kemi përcaktuar qëllim, që deri në vitin 2026 të gjitha komunat do të jenë të kyçura në portalin ku do t’i ofrojnë shërbimet e tyre onlajn.”, - u shpreh ministri për Vetëqeverisje Lokale, Zllatko Perinski.

Projekti për përforcim të kapaciteteve për shfrytëzim të resurseve është projekt pesëvjeçar i USAID-it, i cili zbatohet në periudhë (2021-2026), ndërsa thirrja publike për të përfituar mjete financiare nga buxheti i shtetit përfundoi më 22 shtator. Gjatë kësaj periudhe vijon procedura për përzgjedhjen e projekteve që do të përfitojnë para nga buxheti i shtetit. (Rexhep Qamili, TVM2)