Integrime, Shqipëria ndahet nga pakoja me RMV-në, Komisioni Evropian: RMV-ja ta plotësojë kushtin

26.09.2024 15:48

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndajnë rrugën...

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndajnë rrugën për integrim në familjen e madhe evropiane, kjo për faktin se ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së favorizuan Tiranën zyrtare me mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare me Unionin në Luksemburg, që vazhdon tutje me hapjen e klasterit të parë. Maqedonia e Veriut mbetet peng i ndryshimeve kushtetuese, thonë nga Komisioni Evropian.

 “Pozicioni ynë është shumë i qartë. KE-ja dëshiron fillim sa më të shpejtë të bisedimeve për klasterin e parë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dëshirojmë që Maqedonia e Veriut të fillojë me klasterin e parë sapo ta plotësojë kushtin e dakorduar, hapin për amendamentet kushtetuese. Vetë Komisioni Evropian fton RMV-në që t’i përshpejtojë këto ndryshime.”, - deklaroi zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero.

Mickoski: Nuk pranojmë diktat bullgar
 
Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, fajin për këtë situatë ia hedh Qeverisë paraprake, sepse, sipas tij ka përllogaritur keq mbi supet e popullit. Insiston në kërkesat që ndryshimet kushtetuese të bëhen me prapaveprim dhe të jenë me vlefshmëri juridike në momentin kur Bullgaria ta miratojë protokollin aderues për RMV-në në kuadër të BE-së. 
 
"Kjo sigurisht do të ndodhë. Kjo u kumtua që kur isha në Bruksel. Kjo është sërish diçka me të cilën tregohet mesazh i keq për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, sepse ne si shtet kemi kaluar shumë dhe mendoj se ne kemi bërë shumë punë që s’i ka bërë asnjë vend tjetër e që  s’kanë lidhje me kriteret e Kopenhagës. Ne jemi rast i vetëm ku marrëveshjet bilaterale janë kusht në kornizën negociuese. Për mua ky është diktat. Nëse ky është kushti që RMV-ja të vazhdojë bisedimet, e thash edhe në Bruksel: Jo, faleminderit!”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Filipçe: Vendi po izolohet, humbi populli
 
LSDM-ja opozitare për momentin e ri me ndarjen  e Shqipërisë nga RMV-ja thotë se VMRO-ja iu servoi qytetarëve një mashtrim dhe manipulim të madh, duke e fshehur edhe qëllimin e vërtetë. Maqedonia e Veriut s’ka plan më që ta zhvillojë vendit drejt BE-së, mbeti i izoluar dhe pa strategji, thotë Filipçe.
 
Ndarja e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është dështim i madh i politikave të Qeverisë në planin e integrimit të shtetit në BE. Para së gjithash kjo është katastrofë e madhe për të ardhmen e qytetarëve. Për fat të keq, kjo shansë e re e lëshuar do të prekë në shumë familje dhe në një qëllim tjetër, në gjeneratën e re. Kjo,  humb shpresën se vendi ynë mund të përparojë dhe të zhvillohet.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe. 
 
Mexhiti: Mbetemi në kursin evropian
 
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, pohon se pavarësisht vendimeve, Qeveria nuk lëviz nga kursi evropian.
 
T’i presim informatat zyrtare. Sido që të jetë, Qeveria aktuale është e përkushtuar maksimalisht në rrugën drejt integrimit evropian. Po punojmë çdo ditë  në këtë drejtim dhe mbetet në prioritetet më të larta tona.”, - u shpreh zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
 
Ndërsa, Krenar Lloga nga koalicioni “Fronti Evropian”, thotë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk duhet të ndahen nga procesi i përbashkët i integrimit evropian.
 
Për fat të keq, pas 100 ditësh qeverisje të re është bërë e qartë se dikush i ka mashtruar në masë të madhe votuesit maqedonas duke premtuar se do të rinegociojë procese, dhe nëse sot ne lihemi në rënie të lirë, atëherë veçse i keni dhuruar një dhuratë linjës anti-EU, "Sërpski svet"-it, Rusisë dhe atyre që dëshirojnë konflikte në Ballkan. Ne jemi si nxënësi i keq, që pa përdorur presionin dhe disiplinën, nuk i bën detyrat. Prandaj, na jepni më shumë shkopinj, por mos na ngelni në klasë.”, thekson Lloga. 
 
Shkupi dhe Tirana mbajtën konferencën e parë ndërqeveritare në qershor të vitit 2022, të cilat u kushtëzuan nga Brukseli me kritere që çojnë në mbajtjen e konferencës së radhës. Në rastin tonë, ndryshimet kushtetuese nuk kaluan nga Qeveria paraprake për mungesë të gjetjes së 80 deputetëve për votimin e kushtit të dalë nga propozimi francez, gjersa Qeveria aktuale ka vënë standarde të reja në këmbim të vazhdimit të perspektivës integruese. (Nermine Mulaki - Fejzullahu, TVM2)