Maqedoni
Mbyllja e lojërave të fatit onlajn, Mickoski: Së shpejti do të mësohet e vërteta
26.09.2024 16:54
Pas miratimit të vendimit qeveritar për marrjen e licencave për bixhoz onlajn...

Pas miratimit të vendimit qeveritar për marrjen e licencave për bixhoz onlajn, institucionet do të zbardhin rastin, ndërsa qytetarët dhe opinioni, do ta kuptojnë të vërtetën se si dhe për çka janë dhënë ato licenca. Kështu deklaroi kryeministri, Hrisijan Mickoski, i cili edhe njëherë përsëriti se licencat për lojërat e fatit onlajn kanë qenë në kundërshtim me Ligjin, prandaj dhe Qeveria vendosi që t’i mbyllë ato.
“Ato licenca janë dhënë në mënyrë joligjore. Kemi mendim juridik nga Ministria se e tërë ajo që është dhënë si licencë është dhënë në mënyrë joligjore. Edhe Ministria e Punëve të Brendshme, policia financiare dhe institucione të tjera do të kujdesen, që opinioni shumë shpejt ta mësojë të vërtetën mbi atë se si janë dhënë dhe për çka janë dhënë ato licenca.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Mexhiti: “Mega Win” mbyllet të martën
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, theksoi se të martën do të mbyllet edhe “Mega Win”, kompania e vetme që aktualisht operon, ndërsa pason të konstatohet se kush deri më tani e ka shkelur ligjin. Paralajmëroi se në të ardhmen do të punohet maksimalisht në reduktimin edhe të kazinove fizike.
“Mega Win” është 100% shtetërore, që organizon onlajn. Ka procedurë tjetër në mbledhjen e ardhshme, të martën, do të mbyllet edhe ajo dhe 100% onlajn kazinotë të jenë jashtë funksionit në RMV. Mbetet që në të ardhmen të punohet për reduktimin maksimal edhe të kazinove fizike. Ka edhe onlajn kazino në të zezë, që organizojnë biznese të kazinove për shtete të tjera në rajon, Turqi, Greqi, Shqipëri. Ka vendim të Qeverisë që do t’u shpallet luftë e ashpër edhe atyre me të gjitha instrumentet e shtetit.”, - theksoi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit onlajn erdhi pas interpretimit autentik që Kuvendi i bëri muaj më parë Ligjit për Lojërat e Fatit dhe konkluzionit se Lotaria Shtetërore ka ndarë licenca për bixhoz onlajn në kundërshtim me ligjin. Paraprakisht Qeveria u kishte konfiskuar licencat dy kompanive, të cilat nuk kanë paguar tatim ndaj shtetit dhe kanë manipuluar qarkullimin financiar.
Edhe Prokuroria Publike ka njoftuar për konfiskim të provave materiale mbi dyshimet për krim të organizuar në Lotarinë Shtetërore dhe mënyrën se si janë ndarë licencat. Kryeministri Hristijan Mickoski, në disa paraqitje kishte deklaruar se vendimet e tilla janë marrë nga figura politike të Qeverisë së kaluar LSDM-BDI.
FLORIJE KAMBERI
