Maqedoni

Kasami, apel qytetarëve: Kujdes gjatë parkimit!

26.09.2024 17:16

Kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, bashkë me kryeshefin e SPB-Tetovës...

Kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, bashkë me kryeshefin e SPB-Tetovës dhe drejtorin e parkingjeve në Tetovë, kanë inspektuar bulevardet e qytetit. Kasami me këtë rast deklaroi se shumë qytetarë parkojnë veturat e tyre para kontejnerëve dhe në vendin për transportin urban. Ai kërkoi bashkëpunim me qytetarët, që veturat e tyre mos t’i parkojnë në vende të ndaluara për parkim.
 
“Si rezultat i mospërgjegjësisë së tyre ndodh që në momente të caktuara kamioni i ndërmarrjes për menaxhim me mbeturina mos të ketë qasje deri tek kontejnerët. Për shkak të parkingjeve të papërgjegjshme, autobusët urban të ndalen në rrugë dhe të bllokojnë komunikacionin. I lus bashkëqytetarët e mi të Tetovës dhe ato që vizitojnë Tetovën të kenë kujdes ku parkohen, e mos parkohen në këto lokacione të destinuara për shërbimet e ndërmarrjeve komunale.”, - deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
 
I pyetur se edhe gjatë verës kishte aksion për pastrimin e bulevardeve nga veturat e parkuara keq, Kasami hedh fajin te SPB- Tetovë dhe Ndërmarrja e parkingjeve, që sipas Kasamit aksioni duhet vazhdojë çdo ditë, jo të njëjtat të jenë vetëm simbolike.
 
“Është pyetje për ata dhe është kërkesë edhe e imja, që këto aksione mos të jenë simbolike, por të jenë të përditshme. Kërkesa ime deri tek përgjegjësit në fjalë është që nuk duhet të tolerohet parkingu aty ku nuk është vendi.”, - theksoi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
 
Përndryshe, mungesa e parkingjeve në Tetovë vazhdon të jetë e madhe. 
 
VISAR SADIKI