Maqedoni
Borrell: Integrimi kërkon, që liderët të marrin vendime
26.09.2024 18:22
Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell...
Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka takuar liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Nju Jork. Në takim është diskutuar për sfidat gjeopolitike, ndërsa është theksuar nevoja për harmonizim strategjik me Bashkimin Evropian për ruajtjen e stabilitetit rajonal.
“Rritja e ndikimit keqdashës që minon përpjekjet për reforma në rajon tregon se ne duhet të bashkëpunojmë edhe më ngushtë.”, është shprehur Borrelli.
Ai ka thënë se Ballkani Perëndimor është pjesë integrale e së ardhmes së Evropës. Ai ka theksuar rëndësinë e lidhjeve BE - Ballkani Perëndimor dhe ka përsëritur se “anëtarësimi në BE është i arritshëm, me kusht që reformat kyçe të ndiqen”.
“Udhëheqësit duhet të marrin vendime të guximshme dhe strategjike për të çuar përpara aspiratat e tyre evropiane.”, citohet të ketë thënë Borrelli në njoftimin e lëshuar nga kabineti i tij.
Sipas njoftimit, takimi ishte mundësi për të kujtuar nevojën për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ekzistuese, derisa është përmendur rëndësia për fqinjësi të mirë të arritur përmes dialogut dhe kompromisit si hapa esencialë për integrim në BE.
Në takim kanë marrë pjesë presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova; presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani; kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama; kryetari i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Denis Beçiroviq; zëvendëskryeministri për Çështjet e Jashtme dhe Evropë i Malit të Zi, Filip Ivanoviq dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.
GYLTENE SINANI
