Botë

Lindja e Mesme, thirrje për armëpushim në kufirin Liban - Izrael

26.09.2024 18:44

ShBA-ja, BE-ja dhe Aleatët paralajmëruan plan të përbashkët për ndërprerjen e 21 ditëve...

ShBA-ja, BE-ja dhe Aleatët paralajmëruan plan të përbashkët për ndërprerjen e 21 ditëve të luftimeve mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban. Vendimi u përshëndet nga autoritetet në Liban. Nga Kombet e Bashkuara udhëheqës të qeverive dhe shteteve dolën me thirrje për qetësimin e tensioneve në Lindjen e Mesme.
 
“Qëllimi ynë është i qartë, të parandalojmë një luftë më të gjerë që ne besojmë se nuk është në interes të asnjërës palë, as popullit të Izraelit dhe as popullit të Libanit.”, - deklaroi zëvendësambasadori i ShBA-së në OKB, Robert A. Uoud.  
 
Edhe presidenti francez, Makron, i kërkoi Tel Avivit të ndalojë përshkallëzimin dhe Hezbollahut që të ndalojë armiqësitë.
 
“Populli libanez refuzon luftën, beson në stabilitet dhe punon për të ardhmen.”, - theksoi kryeministri i Libanit, Najib Mikati.  
 
“Nuk mund të ketë luftë në Liban. Prandaj i bëjmë thirrje Izraelit të ndalojë këtë përshkallëzim në Liban dhe Hezbollahut të ndalojë lëshimin e raketave në Izrael. Lufta që Izraeli po bën në Gazë po vazhdon shumë gjatë. Dhjetëra mijëra viktima civile në Palestinë nuk mund të justifikohen.”, - u shpreh presidenti i Francës, Emanuel Makron. 
 
Irani thotë se po monitoron nga afër situatën dhe e drejtuan gishtin drejtpërdrejt nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj për luftimet. Teherani ka kërcënuar se nuk do të qëndrojë indiferent në rast të një lufte gjithëpërfshirëse.
 
“E vetmja mënyrë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm është e qartë. Izraeli duhet të përfundojë menjëherë luftën në Gazë dhe sulmet e tij ndaj Libanit duhet të ndalen. Pa armëpushim në Gazë, nuk do të ketë garanci për paqen në rajon.”, - deklaroi ministri i Jashtëm i Iranit, Sajed Abas Arahçi. 
 
Pentagoni thotë se po udhëheq përpjekjet e reja diplomatike për t'i dhënë fund armiqësive, si në Gazë ashtu edhe në Liban, duke i lidhur dy konfliktet si pjesë e një nisme të vetme.
 
“Kur bëhet fjalë për Libanin, ushtria amerikane nuk ka asnjë përfshirje në operacionet e Izraelit. Ne nuk duam veprime që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm në rajon. “Ne ende besojmë se ka një kohë dhe vend për diplomaci.”, - theksoi zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Sajn.
 
Që nga fillimi i sulmeve midis Izraelit dhe Hezbollahut, 600 njerëz janë vrarë, mijëra janë plagosur. Ndërkohë, mbrojtjet ajrore siriane thanë se kishin kapur raketa izraelite mbi qytetin port të Tartus, ku ndodhet një bazë ushtarake ruse.
 
FLUTURA LATIFI