Maqedoni

Ministria e Ambientit dhe Inspektorati, aksion për ruajtjen e cilësisë së ajrit

26.09.2024 17:38

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti...

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, së bashku me drejtoreshën e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësor, Ivana Ginovska, kanë promovuar fillimin e aksionit të përbashkët për cilësinë e ajrit në prag të fillimit të sezonit të ngrohjes.
 
Sipas Mexhitit, kjo është një sfidë me të cilën vendi po ballafaqohet ndër vite. Duke u nisur nga fakti se problemi me ndotjen e ajrit nuk mund të zgjidhet brenda natës, dhe se ky nuk është problem lokal apo problem i një ministrie, aktivitetet për përmirësimin e situatës së ndotjes së ajrit do të jenë gjithëpërfshirëse, të ndara dhe të koordinuara nga të gjitha institucionet përkatëse, thekson Mexhiti.
 
“Pikërisht për këtë Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në koordinim me Inspektoratin shtetëror të mjedisit do të fillojnë me zbatimin e një sërë aksionesh, të cilat kanë për synim që këtë sezon të mundësojmë kontroll më të madh të cilësisë së ajrit. Fillimisht do të fillohet me kontrollin e kapaciteteve prodhuese dhe së bashku me Inspektoratin do të vizitohen objektet më të mëdha industriale në vend duke filluar nga rajoni i Shkupit. Ekipet e punës do të kryejnë inspektime në terren, gjegjësisht mbikëqyrje mbi lejet e dhëna të integruara ekologjike, me qëllim që të kontrollohet përputhshmëria e kushteve me punën e instalimit në terren.”, - deklaroi ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor,  Izet Mexhiti.
 
Drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësor, Ivana Ginovska, theksoi se do të fillojnë me inspektime, edhe pse shtoi se kanë mungesë të kuadrit inspektues.
 
“Nga ana jonë tashmë janë planifikuar inspektime të rregullta kontrolluese tek subjektet me leje të kategorisë A ekologjike të integruara. Gjatë kontrollimeve, përveç inspektorëve, do të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Ministria e Mjedisit. Risi këtë vit është se ekipet inspektuese do të kryejnë inspektime në qytetet tjera dhe jo në qytetin nga vijnë ato.”, - theksoi drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësor, Ivana Ginovska. 
 
Vendi ynë për vite të tëra ka kryesuar listat për ajrin më të ndotur gjatë kohës së dimrit dhe sipas institucioneve, nëse këto masa zbatohen ashtu siç janë planifikuar, do ta ulin ndotjen e ajrit në masë të madhe. 
 
FITIM KRYEZIU