Maqedoni

Inspektorati i Tregut në terren, kontrollojnë nëse janë ulur çmimet e produkteve

26.09.2024 18:00

Pasi Qeveria vendosi për kufizimin e marzhës për 73 produkte bazë...

Pasi Qeveria vendosi për kufizimin e marzhës për 73 produkte bazë, e njëjta ka hyrë në fuqi. Për këtë arsye, 120 inspektorë kanë dalë në terren në qytetet të ndryshme të vendit, për të parë nga afër se sa kjo masë zbatohet nga tregtarët, njoftojnë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.
 
Qytetarët thonë se tregtarët nuk janë transparent me konsumatorët, pasi te produktet me zbritje nuk kanë vendosur etiketa njoftimi.                       
 
“Duhet të shënohet aty në fund të çdo produkti se ka zbritje, të vendosen çmime të reja.”, - tha një qytetar.
 
“Unë bleva mish dhe kishte çmimin e njëjtë, për produktet e tjera nuk di, pasi nuk kam pasur rastin t’i shoh dhe nuk kishte njoftime.”, - tha një qytetare.
 
“Diçka ka zbritje, por shumë pak.”, - u shpreh një qytetar.
 
”Disa produkte, po, kanë çmime më të ulëta, disa jo. Ka zbritje te prodhimet e qumështit.”, - u shpreh një qytetare.
 
“Nuk ka transparencë, diçka që tregon përmes etiketës në vetë produktin, që të na njoftojë se ka zbritje.”, - u shpreh një qytetar.
 
Nga Inspektorati i Tregut thonë se shitësit e produkteve janë të detyruar, që t’i shënojnë të gjitha produktet, të cilat përfshihen nga lirimi i vendimit të Qeverisë dhe të njëjtat duhet të mbajnë etiketën e ngjitur me mbishkrimin “Harxho më pak, më shumë për ty”.
 
Drejtori i IShT-së, Goran Trajkovski, thotë se marzha bruto e fitimit nuk guxon të lëvizë mbi 10%.  Zëvendësministri i Ministrisë së Ekonomisë, Marjan Risteski, ka thënë se çdo sjellje e tregtarëve duke mos respektuar vendimin e Qeverisë, do të sanksionohet.  
 
Nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, njoftojnë se gjobat për të gjithë ato të cilët nuk do ta respektojnë këtë masë variojnë nga dy deri në 10 mijë euro dhe  me mbyllje të objekteve. Shporta e vjeshtës do të jetë e vlefshme deri më 31 tetor, e më pas në shportën e pranverës do të përfshihen produktet që përdoren më shumë në atë periudhë të vitit. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU