Maqedoni

Eurointegrimi, BDI: Gabimet na e rrëmbejnë të ardhmen evropiane

27.09.2024 16:30

Opozita fajëson pushtetin për dështimin e Maqedonisë së Veriut në rrugëtimin evropian...

Opozita fajëson pushtetin për dështimin e Maqedonisë së Veriut në rrugëtimin evropian. Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron se reformat kushtetuese janë shkaku kryesor i përjashtimit nga pakoja evropiane, që sipas tyre kjo flet për një goditje ndaj unitetit dhe qëndrueshmërisë rajonale, duke thelluar hendekun midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.
 
“BDI-ja, në vazhdimësi, ka paralajmëruar se ky dështim do të kishte pasoja të rënda. Çdo ditë që reformat kushtetuese shtyhen, është një ditë e humbur për të ardhmen evropiane të fëmijëve tanë. Çdo dështim në miratimin e këtyre reformave është një hap më larg nga familja evropiane dhe një hap më pranë izolimit, ndarjes dhe ngecjes në vend.”, thuhet në kumtesën e BDI-së.
 
Petrovska: VMRO-DPMNE na largoi nga BE-ja
 
Deputetja e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska, në një intervistë televizive për TV 24 është shprehur se distancimi i vendit nga BE-ja ishte qëllim i Qeverisë.
 
“VMRO-DPMNE-ja dhe Qeveria do të bëjnë gjithçka, që sa më shpejt të largohemi nga BE-ja, sepse kjo u shkon për shtat. Deklaratat e tyre se po na ndodhin padrejtësi, pa ofruar plan, janë vetëm arsyetime dhe nuk i përshtaten deklaratave të politikanëve përgjegjës.”, tha Petrevska.
 
Radev: RMV-ja në kahje të kundërt me BE-në
 
Kanë vijuar edhe reagime nga pala bullgare. Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, e ka vlerësuar si pasojë të logjikshme, vendimin e Bashkimit Evropian për ndarjen e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria. Sipas Radevit, pushteti në Shkup po shkon në kahje të kundërt nga integrimet.
 
“Bullgaria do të vazhdojë të ndihmojë, por duhet të ketë vetëdije çfarë nënkupton Bashkimi Evropian dhe si duhet punuar për t’u arritur qëllimi nacional i Maqedonisë së Veriut. Shpresoj që pas lajmit për ndarje të Tiranës dhe Shkupit, do të nxjerrin konkluzionet e nevojshme dhe do të nisen në drejtimin e duhur.”, është shprehur Radevi.
 
Presidenti i Bullgarisë ka kundërshtuar deklaratën e kryeministrit Mickoski për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese pas përmbylljes së negociatave. Sipas Radevit, korniza negociuese e vitit 2022 e thotë qartë se Maqedonia  e Veriut do të nisë bisedimet kur t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë. Radevi ka përshëndetur edhe miratimin e deklaratës në Parlamentin bullgar për të ndaluar fushatën antibullgare të RMV-së.
 
Gjithashtu deklarata konfirmon vullnetin e shtetit bullgar për organizimin e kremtimeve të përbashkëta të ngjarjeve dhe personaliteteve të përbashkëta historike, duke pasur parasysh historinë e pasur të përbashkët të dy vendeve.
 
MERAL ISMAILI