Maqedoni

Asambleja e përgjithshme e KB-së, Davkova: Aty ku ka veto, nuk ka drejtësi

27.09.2024 16:53

Stagnimi i integrimit të vendit drejt BE-së i demotivon qytetarët e Maqedonisë së Veriut...

Stagnimi i integrimit të vendit drejt BE-së i demotivon qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe ngadalëson reformat. Vetoja u bë instrument për këtë stagnim, theksoi presidentja, Gordana Siljanovska Davkova, para anëtarëve të Asamblesë së përgjithshme të KB-së.
 
Sipas saj, zgjerimi patjetër duhet të ndërthuret me kriteret meritokratike të Kopenhagës dhe të lirohet nga vetoja. Ajo shtoi se nga partnerët tanë evropianë dhe strategjikë presim mirëkuptim dhe zhbllokim të drejtë të procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, refuzim të standardeve të dyfishta dhe respektim të parimeve dhe vlerave personale, të ndërtuara në dokumentet kushtetuese bazë.
 
“Zgjerimi duhet të lidhet me kriteret e Kopenhagës për meritokraci dhe të lirohet nga vetoja që ka të bëjë me përpjekjen për rishikim të historisë dhe mosrespektim të identitetit kombëtar dhe kulturor. Ku ka veto, shpeshherë, nuk ka drejtësi. Vetoja u bë instrument për bilateralizimin e eurointegrimit, respektivisht stagnimit të tij. Në kushte të konfliktit në tokë evropiane, stagnimi i eurointegrimit, jo vetëm se i demotivon qytetarët tanë dhe i ngadalëson reformat, por edhe e destabilizon rajonin e Evropës Juglindore, duke lënë hapësirë për depërtim të ndikimeve malinje dhe ndikimeve të shteteve të mëdha.”, - deklaroi presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova.
 
Sipas Siljanovka Davkovës, përfaqësuesit ndërkombëtarë do të vendosin kushte të reja për integrimin e vendit në BE. Integrimi i plotë i Ballkanit në BE, sipas saj, do t’i japë fund rimodelimit të pafund të kufijve dhe ballkanizmit si fenomen. 
 
“Anëtarësimi në BE, pas 20 vitesh negociata dhe madje 16 raporte pozitive nga Komisioni Evropian i ngjan z. Godo, sepse e kemi pritur që nga viti 2005, të inkurajuar nga përfaqësues ndërkombëtarë me refrenin: “vetëm edhe ky kusht”, “vetëm edhe ky koncesion”, “vetëm edhe ky ndryshim kushtetues”. Kështu u bëmë shtet “sui generis”, me 36 ndryshime kushtetuese për 30 vjet, të ankoruara në rajonin gjeopolitik, të quajtur Ballkani Perëndimor. Në vitin 2018 është nënshkruar dhe ratifikuar Marrëveshja e Prespës, pas së cilës vijuan referendumi i pasuksesshëm dhe ndryshimet kushtetuese me të cilat Republika e Maqedonisë formalisht dhe juridikisht u bë Republika e Maqedonisë së Veriut.”, - theksoi presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova.
 
Sipas Siljanovska Davkovës, emri i ri është realitet formalo-juridik dhe ne si vend përgjegjës anëtar të Kombeve të Bashkuara dhe të NATO-s, i plotësojmë obligimet ndërkombëtare, por, anëtarësimi në BE, jo vetëm se nuk u realizua, por qytetarët e Maqedonisë së Veriut tani janë para një “kushti, përsëri të fundit” për edhe një ndryshim kushtetues, por jo për anëtarësim, por për fillim të negociatave dhe atë për herë të dytë”, përfundoi presidentja Siljanovska Davkova. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU