Maqedoni
RMV-ja, jashtë grupit për integrim të përbashkët, Neziri: Rrezikon perspektivat e saja
27.09.2024 17:39
Ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia në rrugën e integrimit evropian është një moment kyç...

Ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia në rrugën e integrimit evropian është një moment kyç, i cili do të ndryshojë rrjedhën e integrimeve evropiane në Ballkanin Perëndimor, vlerëson analisti politik, Xhelal Neziri.
Sipas tij, Maqedonia e Veriut me mbetjen jashtë grupit për integrim të përbashkët me Shqipërinë, Serbinë dhe Malin e Zi, rrezikon perspektivat e saja.
“Maqedonia tashmë do të jetë në një grup me dy vendet më problematike të rajonit, me Bosnjën dhe Kosovën. Dhe do të jetë e rrezikuar në perspektivat e saja. Do të jetë në një grup, që ende ka probleme si me fqinjët, ashtu edhe probleme të brendshme. E tash si do të ndikojë kjo ndarje në aspektin e brendshëm në Maqedoninë e Veriut?! Mendoj se do të bie vullneti politik për të zbatuar reformat.”, - deklaroi analisti politik, Xhelal Neziri.
Neziri shton se shqiptarët janë të frustruar dhe se nuk kanë më durim të presin për integrimin evropian të vendit.
“Çështja e dytë që do të ndodhë do të jetë frustrimi i shqiptarëve etnik këtu brenda se do të duhet të presin disa vjet, një kohë të gjatë që të zgjidhet çështja me Bullgarinë dhe të hapet perspektiva evropiane e tyre, duke marrë parasysh faktin se Shqipëria në anën tjetër do të ecë përpara, do të përparojë dhe do të thithë fondet evropiane që mundësojnë zhvillimin e saj. Do të rritet edhe më shumë simpatia për Shqipërinë, gjë që mund të reflektohet edhe në dinamikat e brendshme.”, - theksoi analisti politik, Xhelal Neziri.
Sipas Nezirit, Maqedonia e Veriut gjithashtu do të ketë regres dhe pasoja edhe në zhvillimin ekonomik.
Gonzato: Vendet anëtare, të kënaqura me Shqipërinë
Ndërkohë kreu i delegacionit të BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka shprehur lëvdata për Shqipërinë, duke theksuar se Shqipëria ka arritur në pikën ku vendet anëtare janë të kënaqura me përparimin e saj.
“Shqipëria po bëhet kryeqytet rajonal, po e zë vendin e Beogradit.”, ka theksuar ai.
Ndërsa për Maqedoninë e Veriut vlerëson se duhet të përmbushë kushtet, që të fillojë negociatat.
ARMEND MURSELI
