Maqedoni

Kryeministri hungarez nga Ohri: Kam ofertë për zgjidhjen me Bullgarinë

27.09.2024 18:02

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, në cilësinë e vendit kryesues me Unionin Evropian vjen në Ohër...

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, në cilësinë e vendit kryesues me Unionin Evropian vjen në Ohër, me qëllimin për ta avancuar pozitën e Maqedonisë së Veriut në rrugën evropiane dhe po ashtu me propozim për kryeministrin Mickoski për ta zgjidhur kontestin me Bullgarinë.
 
Duke folur për pengesën e eurointegrimit të vendit, Orbani shton se krenaria nacionale është gjëja më e rëndësishme për një popull dhe këtë duhet ta dijë edhe BE-ja. Orbani e sheh gabim të Brukselit ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, ndërsa zgjidhja për vendin tonë, sipas tij është vetëm hapja e kapitujve deri në fund të vitit. 
 
“Stacioni i radhës është që në njëfarë mënyre të merren vesh me Bullgarinë. Unë për këtë kam një propozim timin dhe atë propozim ia përcolla kryeministrit dhe i thashë se ne jemi të gatshëm që ta shfrytëzojmë kryesimin me BE-në, që të ndërmjetësojmë në këtë çështje. A janë palët gati që ta pranojnë Hungarinë si ndërmjetësues është punë e tyre, por ne jemi të gatshëm dhe duam të punojmë në atë që të gjendet zgjidhje që i konvenon edhe Maqedonisë edhe bullgarëve. Por, kjo punë u takon palëve të involvuara në kontest.”, - deklaroi kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. 
 
Mickoski për integrimin: Na bëhet padrejtësi, Bullgaria pengon rrugën
 
Duke i uruar fat  Shqipërisë në hapat e radhës drejt integrimit, kryeministri Mickoski thotë se nuk duhet të triumfojë zhgënjimi, por të vazhdohet me angazhimin strategjik evropian. Sërish përmend se vendi ynë është viktimë e çështjeve dypalëshe me Bullgarinë. Mirëpret ndihmën nga Hungaria, për të cilin thotë se nuk është vetëm shtet partner i ynë në skenën evropiane, por edhe shembull se si duhet balancuar sovraniteti nacional me integrimin global.
 
“Më vjen keq që për shkak të këtij vendimi vetëm dy palët ishin të kënaqura dhe këtu pa përjashtim janë politikanët tek fqinji ynë lindor dhe opozita tek ne në shtëpi. Vetëm këto dy palë iu gëzuan vendimit të ri të BE-së, i cili jo vetëm që nuk është lojal, por është mesazh shumë i gabuar për qytetarët e Maqedonisë. Por, ne jemi politikanë real dhe ne duhet të merremi me realitetin dhe jo me fantazinë. Ne do të vazhdojmë fuqishëm t’i zgjidhim problemet në shtëpi, dhe, ndoshta një ditë, sikur të gjithë popujt tjerë që aderuan në BE, do të vlerësohemi me plotësimin e kushteve të Kopenhagës dhe jo sipas problemeve dypalëshe të mesjetës.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Dy kryeministrat njoftuan edhe për bashkëpunim ekonomik me përfitim rajonal. I pyetur nëse huazimi prej gjysmë miliardë euro nga shteti ynë janë para me bazë nga Kina, kryeministri hungarez me përgjigje se vendi i tij mund të japë hua vetëm nga paratë evropiane.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU