Botë

Situatë e tensionuar në Lindjen e Mesme, Izraeli thotë se ka vrarë liderin e Hezbollahut

28.09.2024 13:53

Situata është tensionuar në Lindjen e Mesme. Forcat izraelite të mbrojtjes thonë se kanë vrarë udhëheqësin e Hezbollahut...

Situata është tensionuar  në Lindjen e Mesme. Forcat izraelite të mbrojtjes thonë se kanë vrarë udhëheqësin e Hezbollahut, Said Hasan Nasralla dhe anëtarë të tjerë të lartë të grupit militant në Bejrut, në operacionin Rendi i Ri. Nasralla kaloi më shumë se 30 vjet në krye të grupit të armatosur të mbështetur nga Irani që kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor. Në një nga sulmet më të mëdha ajrore izraelite në Liban, u shkatërruan disa ndërtesa banimi, u regjistruan viktima civile dhe dëme.
 
“Mesazhi është i qartë. Ne do të dimë si të shkojmë te kushdo që kërcënon qytetarët e shtetit të Izraelit, në jug, në vende të largëta. Ky sulm ishte përgatitur për një kohë të gjatë dhe u krye në kohën e duhur, në mënyrë shumë të mprehtë.”, tha Herzi Halevi, shef i shtabit të përgjithshëm të forcave të mbrojtjes izraelite.
 
Betejat vazhdojnë. Disa raketa u hodhën në veri të Izraelit. Një predhë shpërtheu në det pranë Tel Avivit. Ambasada iraniane në Liban thotë se zhvillimet e fundit janë një përshkallëzim i rrezikshëm. Ata e vlerësuan sulmin në Bejrut si një krim lufte për të cilin, thonë ata, si Izraeli ashtu edhe Shtetet e Bashkuara duhet të mbajnë përgjegjësi. Uashingtoni është i bindur se ata nuk kanë asnjë përfshirje ose njoftim paraprak për një sulm izraelit në atë që ushtria izraelite thotë se është selia qendrore e Hezbollahut.
 
“Unë jam ende duke mbledhur informacione, mund t'ju them se Shtetet e Bashkuara nuk kishin njohuri apo përfshirje në aksionin e mbrojtjes izraelite. Ne duhet të zbulojmë më shumë detaje.”, tha presidenti i SHBA- ve, Joe Biden.
 
“Kam folur më herët në telefon me kolegun tim në Izrael, ministrin Gallant. SHBA-të nuk ishin të përfshira në operacionin e Izraelit. Nuk kishim asnjë paralajmërim paraprak. Thirrja ime për ministrin Gallant ndodhi ndërkohë që operacioni ishte në të vërtetë tashmë duke u zhvilluar. Unë i kam thënë disa herë se një luftë e gjithanshme duhet të shmanget dhe kjo është mënyra më e shpejtë për të kthyer qytetarët e zhvendosur izraelitë dhe libanezë.”, tha Lloyd Austin, sekretar i mbrojtjes i SHBA-ve.
 
SHBA dhe aleatët e saj në fillim të kësaj jave propozuan një armëpushim tre-javor me shpresën për të gjetur një kompromis midis palëve ndërluftuese, por Izraeli e refuzoi atë. Thuhet se Netanyahu fillimisht ra dakord me propozimin, por më pas ndryshoi mendje.
 
“Lufta në Liban mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm duke përfshirë forcat e jashtme. Unë e mbështes plotësisht propozimin për një armëpushim të përkohshëm - i cili do të lejojë dërgimin e ndihmave humanitare dhe do të hapë rrugën për rifillimin e negociatave serioze për një paqe të qëndrueshme. Tani na duhet ky armëpushim. Ne nuk mund të përballojmë negociata të pafundme siç kemi për Gazën.”, tha Antonio Guterres, sekretari i përgjithshëm i OKB-së.
 
Kryeministri izraelit ndërpreu papritmas një vizitë në Shtetet e Bashkuara dhe u kthye në shtëpi pasi iu drejtua më parë Kombeve të Bashkuara duke u zotuar se fushata e Izraelit kundër Hezbollahut do të vazhdojë.
 
ADNAN HAJDARI