Botë

Lindja e Mesme, ushtria izraelite vendoset pranë kufirit me Libanin

29.09.2024 13:13

Veprimet ushtarake në Lindjen e Mesme nuk po pakësohen....

Veprimet ushtarake në Lindjen e Mesme nuk po pakësohen. Tel Avivi është i përgatitur për një ofensivë tokësore në Liban, trupat izraelite janë vendosur pranë kufirit. Operacionet në shkallë të vogël kanë nisur përtej kufirit për të hequr pozicionet e Hezbollahut. Në të njëjtën kohë, ushtria izraelite vijon aksionet e saj në Rripin e Gazës, duke kapur raketa të lëshuara nga Huthit në Jemen mbi Detin e Kuq. Kryeministri Netanyahu paralajmëroi për ditë të vështira përpara.
 
“Një vit më parë, më 7 tetor, armiqtë tanë nuk sulmuan dhe menduan se Izraeli ishte në rrugën e shfarosjes. Një vit më vonë, goditje pas goditjeje, arritje pas arritje - ata e kuptojnë se ku u zhdukën shpresat. Izraeli është në rritje. Ne po fitojmë. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë të godasim armiqtë tanë, të kthejmë banorët tanë në shtëpitë e tyre dhe të kthejmë të gjithë pengjet tanë.”, tha kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu
 
Pas vdekjes së liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, bota ka frikë nga përhapja e gjakderdhjes. Kushëriri i Nasrallahut, Hashem Safi El Din, është një pasardhës i mundshëm i pozitës së udhëheqësit të grupit militant të mbështetur nga Irani. Sipas presidentit amerikan Bajden, vdekja e liderit të Hezbollahut është një masë drejtësie, Moska dënoi sërish vrasjen e Nasrallah. Teherani kërkoi një takim urgjent të Kombeve të Bashkuara. Këshilli i Sigurimit dhe Kombet e Bashkuara bënë thirrje për de-përshkallëzimin. Komuniteti ndërkombëtar bën thirrje për vetëpërmbajtje.
 
“Ky përshkallëzim nuk do të ketë ndikim pozitiv në asnjë vend. Ai gjithashtu rrezikon të ketë pasoja negative për të gjithë rajonin. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të tregojnë mençuri dhe përmbajtje për të shmangur shpërthimin e një lufte të vërtetë në rajon.”, tha ministri i jashtëm i Arabisë Saudite, Faisal Bin Farhan al-Saud,
 
“Ekziston një rrezik shumë, shumë real i një lufte të gjithanshme rajonale që do të prekte jo vetëm njerëzit e rajonit, por të gjithë ne. Kjo duhet të marrë fund dhe kjo duhet të marrë fund tani”, tha ministri i jashtëm i Danimarkës, Lars Loke Rasmussen,
 
Vendimet që do të marrin të gjitha vendet në ditët në vijim do të formësojnë të ardhmen e Lindjes së Mesme, pohon Sekretari amerikan i Shtetit Blinken. Departamenti i Shtetit u kërkoi shtetasve të tij të largoheshin nga Libani, duke paralajmëruar se opsionet aktuale të kufizuara për t'u larguar mund të bëhen të padisponueshme nëse situata e sigurisë përkeqësohet. Linjat ajrore duhet të shmangin hapësirën ajrore libaneze dhe izraelite në muajin e ardhshëm, tha dje Bashkimi Evropian.
 
“Ndoshta ajo që ndodhi dje dhe po ndodh ende në periferitë jugore të Bejrutit dhe në një sërë zonash është dëshmia më e mirë e qartë e realitetit të synimeve të paramenduara izraelite. Ne ripërtërijmë angazhimin tonë ndaj legjitimitetit ndërkombëtar dhe ligjit ndërkombëtar dhe kërkojmë edhe një herë të punojmë për të ndaluar agresionin izraelit”, tha kryeministri i përkohshëm i Libanit, Najib Mikati.
 
Lufta në Lindjen e Mesme u ndez më 7 tetor të vitit të kaluar pasi Hamasi nisi sulmet në Izraelin jugor, duke vrarë më shumë se një mijë civilë dhe duke marrë peng dhjetëra.
 
ADNAN HAJDARI