Maqedoni
100 ditë qeverisje, në fokus beteja ndaj bixhozit, korrupsionit
29.09.2024 15:12
Beteja kundër biznesit të kazinove, ndërprerjen e lojërave online të fatit, avancimi i arsimit si dhe decentralizimi...

Beteja kundër biznesit të kazinove, ndërprerjen e lojërave online të fatit, avancimi i arsimit si dhe decentralizimi, janë disa nga të arriturat në 100 ditë qeverisje. Koalicioni VLEN nënvizon investimin prej 35 milion euro për ndërtimin e kampusit universitar Nënë Tereza si dhe 100 milion euro për projekte komunale. Zëvendës kryeministri i parë Izet Mexhiti thotë se fokusi vazhdon të jetë në zhbërjen e bizneseve të bixhozit.
“Ka një komision të formuar nga ministria e dixhitalizimit dhe disa drejtori të tjera të cilat do të mirren në mënyrë të përditshme dhe të ashpër ndaj kësaj dukurie dhe këtu nuk do të ndalemi. Pra, ne do të sjellim edhe ligjin e ri, i cili do ta kufizojë në maksimum të eliminojë këtë biznes, i cili është i dëmshëm për rininë tonë.”, tha zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti
Në mënyrë intensive është punuar për identifikimin e rasteve të korrupsionit. Mexhiti thotë se tani do të veprojnë organet e hetuesisë.
“Mendoj se dalëngadalë këto raste do të zbardhen, dhe nuk do të mirret politika, por do të merren organet e gjyqësorit dhe prokurorisë për të gjithë ata të cilët kanë gabuar në të kaluarën, dmth që e kanë shfrytëzuar mandatin politik për përfitime personale dhe familjare.”, tha Mexhiti.
Mexhiti: One stop shop kufijtë veri - perëndim
Sipas mexhitit është punuar edhe për transformim sa më të shpejtë të vendkalimeve kufitare në veri dhe perëndim të vendit.
“Ka vendim dhe po punohet në mënyrë intensive që kufijtë Tabanoc, Bllacë, Jazhincë dhe Qafë Thanë, deri kah janari, eventualisht më së voni shkurti të shëndrohen në kufi one stop shop që do të lehtësojë dukshëm qarkullimin e njerëzve dhe mallrave në këto kufij, që do ti bëj më të përafërta këto vendet tona në rajon por njëherit është një lehtësim i dukshëm për diasporën tonë.”, u shpreh Mexhiti.
Gjithashtu VLEN po punon që mërgimtarët gjatë qëndrimit në vend në mënyrë sa më të shpejtë të vijnë deri tek dokumentacioni personal apo pronësor.
BDI: VLEN na largoi nga integrimi Europian
Nga BDI me kritika drejtuar koalicionit VLEN. E fajësuan se largoi vendin nga integrimi në BE, edhe përkundër zotimeve parazgjedhore.
“Premtuan që për tre ose gjashtë muaj do ta ndryshojnë kushtetutën, në të kundërtën do ta braktisin qeverinë. Por, ata sërish gënjyen dhe i mashtruan qytetarët. Për 100 ditë e larguan shtetin nga Europa, e armiqësuan me Greqinë, Bullgarinë, Kosovën dhe Shqipërinë, ndërsa e afruan me Serbinë, Hungarinë, Rusinë dhe Kinën,” thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga BDI shprehen pro partneritet euro-amerikan dhe për asnjë çmim nuk do të lejojë ndryshim e kursit perendimor të shtetit.
MERALE ISMAILI
