Maqedoni
Përdorimi i gjatë i smart phone-ve dëmton sytë, Tateshi: Të përdoren jo më shumë se tri orë
29.09.2024 15:55
Smart phone-t janë bërë pjesë e pandashme e rutinës tonë të përditshme, duke u shndërruar në varësi....

Smart phone-t janë bërë pjesë e pandashme e rutinës tonë të përditshme, duke u shndërruar në varësi. Sipas një studimi të kryer së fundmi, përveç tetë orëve në punë, pjesa më e madhe e individëve e shfrytëzojnë edhe pjesën tjetër të ditës para ekraneve. Sipas studimit, 34 vite të jetës të rriturit i shfrytëzojnë para ekraneve, si para telefonit, kompjuterit apo televizionit. Lind pyetja se si këto pajisje po ndikojnë në zhvillimin e syve tanë? Se si edhe po ndikojnë në zhvillimin psikik tek fëmijët dhe të rriturit? Se si ata, pa vetëdijen tonë, po e dëmtojnë shëndetin tonë?
Mjeku i syve, Bekim Tateshi, thotë se më herët ka qenë kundër kufizimit të përdorimit të smart phone-ve, por tani kur kjo ka kaluar në epidemi, si tek fëmijët ashtu edhe tek të rriturit, ai rekomandon përdorimin e tyre jo më shumë se dy, deri në tre orë në ditë.
“Syri i njeriut është organ i cili është i përgatitur për të parë larg dhe për afër normal për t’i kryer obligimet e veta. Por, në kohën e fundit, me paraqitjen e këtyre telefonave të mençur, kompjuterëve dhe I-Pad të ndryshëm atëherë ka detyruar syrin që të akomodojë më shumë. Syri sa më shumë që akomodon për afër, shkakton probleme në mundësinë e të pamurit larg. Ka një problematikë e cila quhet gërçi akomodativ, i cili paraqitet te ata fëmijë ose të rritur që punojnë shumë gjatë afër. Mos harroni nuk janë vetëm problemet e syve, një njeri që shumë gjatë rri në telefon, i shkakton probleme edhe sistemit kardiovaskular dhe atij lokomotor.”, tha mjeku i syve, Bekim Tateshi.
Psikologët: Ulin përqëndrimin, dëmtojnë kujtesën
Përdorimi i gjatë i smart phone-ve gjatë rutinës ditore po shkakton probleme të shumta si te fëmijët ashtu edhe të rriturit, thotë edhe psikologia Edlira Destani. Sipas saj, pasojat kryesore kanë të bëjnë me uljen e përqendrimit, keqmenaxhimin e stresit, kujtesën afatshkurtër, probleme me gjumin dhe pasoja të tjera shëndetësore.
“Ajo që është shumë e rëndësishme është fakti i socializimit që ne duhet të bëjmë si qenie humane, që në të vërtetë ka filluar që smart phone-t të na e tejkalojnë në një të dhënë tjetër, si një izolim social, në një ndryshim të komunikimit që gjithsesi po krijon ankth, po krijon herë pas here edhe depresion te dikush, por ajo që është më e rëndësishme është fakti që vet këta persona shohin që gjithnjë e më shumë ky izolim social ka ndryshuar mënyrën se si ata po e ndërtojnë komunikimin. Ky komunikim i dobët po sjell pasoja edhe në cilësinë e tyre të përditshmërisë.”, tha psikologia Edlira Destani.
Rekomandohet që të përdoret rregulli 20-20-20. Ky rregull nënkupton që të bëni një pushim çdo 20 minuta. Të shikoni për 20 sekonda diçka që është të paktën 20 metra larg. OBSh nuk e rekomandon fare qëndrimin para ekranit të pajisjeve teknologjike për fëmijët nën dy vjeç. Për fëmijët e moshës 3-4 vjeç, OBSh thotë se një orë në ditë është e mjaftueshme.
FITORE DEMOLLI
