Legjionarët, Ademi shënon gol në fitoren e Dinamos

29.09.2024 16:41

Arijan Ademi e Arbër Hoxha kanë startuar te Dinamo Zagrebi që fitoi 5:1 ndaj Lokomotiva Zagrebi.

Skuadra e Dinamos në kampionatin kroat më në fund e gjeti veten dhe fitoi derbin lokal me Lokomotivën.  Mesfushori Arijan Ademi në minutën e 51 të ndeshjes shënoi njërin  nga 5 golat në fitoren e xhiros së tetë të kampionatit kroat.  Dy shqiptarët Ademi e Hoxha luajtën deri në minutën e 63-të, tek Dinamo, ndërsa Feta Fetai kompletoi ndeshjen te Lokomotiva.
 
Kjo ishte ndeshja e parë për trajnerin Nenad  Bjelica pas kthimit te Dinamo.
 
Gjimshiti me Atalantën nuk triumfuan
 
Nuk ka dhënë fitues ndeshja mes Bolognas dhe Atalantas, që i takonte xhiros së gjashtë të Serie A, përfundoi 1:1. Bologna kaloi në epërsi 1:0 në minutën e 46-të, kur shënoi Santiago Castro. Atalanta më pas rriti presionin dhe golin e barazimit 1:1 e shënoi Lazar Samargjiq në minutën e 90-të. Kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti e kompletoi ndeshjen në mbrojtje të Atalantas. Ishte prej më të mirëve në fushë. (Gazetar: Safet Ademi)