Botë
Përshkallëzohet kriza në Lindjen e Mesme, Izraeli nuk ndalon sulmet ajrore
30.09.2024 13:53
Ushtria izraelite ka zgjeruar sulmet e saj ndaj grupeve militante të mbështetura nga Irani...

Ushtria izraelite ka zgjeruar sulmet e saj ndaj grupeve militante të mbështetura nga Irani. Sulmet ajrore mbi bastionet e Hezbollahut janë intensifikuar. Bastisjet në Libanin jugor dhe në qendër të Bejrutit vranë një zyrtar të lartë të Hamasit dhe anëtarë të një grupi tjetër terrorist palestinez. Qyteti port i Jemenit, Hodeidah, i cili është nën kontrollin e rebelëve Huthi, aleatë të Teheranit, u bombardua gjithashtu. Beteja vazhdon edhe në Gazë.
“Ne nuk kemi asnjë interes të zgjerojmë luftën, nuk kemi asnjë interes të kërkojmë fronte shtesë, por nëse dikush sulmon Izraelin, siç bënë Huthit së fundmi me raketa, kushdo që kryen një sulm të tillë, ne do ta zgjidhim llogarinë me ta dhe e dimë se si ta bëjmë këtë.”, - deklaroi ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Joav Galant.
Thirrjet për armëpushim po shtohen. Shtëpia e Bardhë thotë se sulmet ajrore izraelite në Liban kanë fshirë strukturën komanduese të Hezbollahut, por paralajmëron se një përgjigje është e mundur. Presidenti Bajden ka thënë se do të flasë me kryeministrin izraelit dhe beson se një luftë e gjithanshme në Lindjen e Mesme duhet të shmanget.
“Duhet të jemi gati për një lloj reagimi. Duhet të sigurohemi që jemi gati. Ne besojmë se kemi forcën e nevojshme në rajon, por për momentin nuk është e qartë. Është shumë herët për të ditur.”, - theksoi këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Xhon Kirbi.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Netanjahu ka emëruar një ish-rival, Gideon Sar, si anëtar të kabinetit të tij në organin që mbikëqyr menaxhimin e luftës në vazhdim midis Izraelit dhe Hamasit.
“Ndryshimi i balancës së pushtetit sjell me vete mundësinë për të krijuar aleanca të reja në rajonin tonë, për arsyen e thjeshtë se ne po fitojmë. Armiqtë tanë dhe miqtë tanë po kthehen për ta parë Izraelin siç është në të vërtetë, një vend të fortë, një vend të vendosur, një vend të fuqishëm.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
“Në këtë moment është e rëndësishme të forcohet Izraeli, Qeveria e tij e uniteti dhe koherenca e tij. Prandaj, pranova kërkesën e kryeministrit Netanjahu për t'iu bashkuar Qeverisë dhe për të kontribuar në punën e saj në qendrat vendimmarrëse me përvojën dhe aftësitë e mia.”, - u shpreh Gideon Saar nga Partia “Shpresa e re”.
Ndërkohë dhjetëra të afërm të pengjeve të mbajtura në Gazë protestuan para shtëpisë së kryeministrit izraelit në Jerusalem duke kërkuar një marrëveshje lirimi dhe përfundimin e luftës që filloi vitin e kaluar më 7 tetor.
FLUTURA LATIFI
