Maqedoni
Lejet e integruara ekologjike, Mexhiti: Të forcojmë procedurat për dhënien e tyre
30.09.2024 14:47
Lejet e integruara ekologjike janë kyçe që të sigurohemi që çdo industri i respekton standardet dhe e ulë ndotjen...

Lejet e integruara ekologjike janë kyçe që të sigurohemi që çdo industri i respekton standardet dhe e ulë ndotjen. Duhet të forcojmë procedurat për ndarjen e tyre, për të siguruar mbrojtje më të madhe të mjedisit, tha sot zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, në hapjen e Punëtorisë për Mjedisin dhe Aksionin Klimatik të organizuar në kuadër të IPA-tuining projektit.
“Detyra jonë është që t’i kontrollojmë këto ndikime dhe të promovojmë praktika më të pastra dhe më të qëndrueshme. Duhet t’i forcojmë procedurat e dhënies së këtyre lejeve për të siguruar mbrojtje më të madhe të mjedisit. Në këtë proces është jetike që të bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha partnerët si brenda ashtu edhe jashtë tij. Asnjë vend nuk mund të përballojë i vetëm sfidat.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i parë i RMV-së, Izet Mexhiti.
“Lidhur me këtë projekt, bashkë me partnerin tonë nga Greqia, kemi për qëllim ta përmirësojmë legjislacionin dhe ta ulim ndotjen në vend.”, theksoi Mexhiti. “Vetëm përmes bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave mund të arrijmë rezultate konkrete dhe të qëndrueshme.”, potencoi Mexhiti.
Siç ishte thënë në punëtori, zbatimi i tuining projektit është hap para në rrugën drejt mjedisit më të pastër dhe më të sigurt jetësor.
ARMEND MURSELI
