Maqedoni

Mexhiti: Procesi integrues mbetet prioritet

30.09.2024 15:02

Procesi eurointegrues ishte dhe do të mbetet një nga prioritetet kyçe të Qeverisë...

Procesi eurointegrues ishte dhe do të mbetet një nga prioritetet kyçe të Qeverisë, theksoi zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Ekologjisë, Izet Mexhiti. Ai thotë se pushteti po ballafaqohet me opozitë destruktive, e cila në këtë periudhë prej 100 ditëve nga qeverisja, hapi tema të cilat 8 vite në pushtet nuk ka arritur t'i zgjidhë. Mexhiti theksoi se derisa pushteti është i përkushtuar në realizimin e programit, opozita po keqpërdor pushtetin gjyqësor për politika ditore.
 
“U ballafaquam me opozitë destruktive, që për çdo ditë kritikoi me të drejt dhe pa të drejt. Në ndërkohë, ata i hapën disa çështje të cilat nuk i kanë mbyllur si duhet, siç është Ligji i gjuhëve, Balancuesi, Bandenteri. Patën kohë të mjaftueshme prej 8 viteve që t’i zgjidhin këto çështje, por nuk e bënë. Tani keqpërdorin pushtetin gjyqësor për politika ditore. I instrumentalizuan për destabilizim dhe krijimin e mjegullës, me qëllim që të shpëtojnë nga përgjegjësia. Ky nuk është arsyetim, ne për çdo ditë ishim të përkushtuar në përmbushjen e premtimeve dhe programit tonë.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
 
Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim adreson kritika të përditshme ndaj koalicionit VLEN, që sipas tyre po e largon vendin nga procesi i eurointegrimit dhe e afron atë në partneritet dhe varshmëri nga Kina dhe Rusia. Nga ana tjetër, LSDM-ja akuzon se BDI-ja në koalicion të fshehtë po e ndihmon VMRO-DPMNE-në, kjo pas mbështetjes së dhënë për disa ligje ku kërkohej 2/3 e votave në Kuvend. Një konstatim të tillë e kanë mohuar nga VMRO-DPMNE-ja, të cilët i ftojnë LSDM-në dhe BDI-në që nga opozita të shohin se si vendi ecë para. Në të njëjtën vijë është edhe Mexhiti, i cili tha se LSDM-ja të mos ketë frikë së do t'ua marrin BDI-në.
 
FLORIJE KAMBERI