Maqedoni

Konferencë për agjendën e BE-së në rajon, Ivanova: Implementoni kushtet, ne jemi për ju

30.09.2024 15:15

BE ka ripërtërirë agjendën për zgjerimin me BP, ndërkaq vendet e këtij rajoni ta kapin rastin dhe t’i plotësojnë kushtet që ua referon agjenda...

Bashkimi Evropian ka ripërtërirë agjendën për zgjerimin me Ballkanin Perëndimor, ndërkaq vendet e këtij rajoni ta kapin rastin dhe t’i plotësojnë kushtet që ua referon agjenda, tha në Shkup, komisionarja për inovacione, kulturë dhe hulumtime, Ilijana Ivanova, e cila njëherit  u ndal edhe tek sfera e arsimit dhe kulturës, duke shpalosur angazhimin e Unionit në këto fusha integruese. 
 
“Shohim momentum të ripërtërirë të procesit të zgjerimit dhe ju inkurajoj të gjithëve si vende nga rajoni që t’i implementoni të gjitha kriteret e caktuara në programin tuaj. Që ta mbajmë këtë momentum, ne i kemi bashkuar hapat për agjendën e Ballkanit Perëndimor për inovacione, kulturë, hulumtime, të rinj dhe sport, që ta përshpejtojmë konvergjencën e ekonomisë suaj drejt BE-së dhe së bashku, të sigurojmë kapitalin më me vlerë në rajon, pra, gjeneratat e reja të mund t’i nxjerrin përfitimet e procesit.”, - deklaroi komisionarja për inovacione, kulturë dhe hulumtime, Ilijana Ivanova.
 
Inovacioni, hulumtimi dhe shkenca, në fokus, Hanko: Platforma për inovacione, pjesë e integrimit
 
Të njëjtin mendim e ndan edhe ministri i Kulturës nga Hungaria, si vend kryesues me BE-në.
 
“Ne duam të instalojmë platformë për bashkëpunim dhe inovacione, që do të kontribuojë në masë të madhe për hyrjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.”, - theksoi ministri i Hungarisë për Kulturë dhe Inovacione, Balas Hanko. 
 
Janevska: Arsimi dhe kultura, në duart e qeverive
 
Është në duart e qeverive nacionale ngritja e proaktivitetit për hulumtime shkencore, tha ministrja e Arsimit, Janevska, duke shtuar se me përvoja të përbashkëta  arrihet drejt politikave më adekuate. 
 
“Përvojat tregojnë se takimet e këtilla të organizuara nën ombrellën e Bashkimit Evropian janë gjithmonë mundësi e mirë për mbindërtimin e politikave dhe krijimin e politikave të reja, të cilat duhet t’i tejkalojnë sfidat që janë emërues i yni i përbashkët.”, - u shpreh ministrja e Arsimit, Vesna Janevska. 
 
Këto komente u thanë në takimin ministror dyditor të agjendës së BE-së për Ballkanin Perëndimor për çështjet i inovacionit, kulturës dhe arsimit.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU