Maqedoni
200 forca të reja të NATO-s në Maqedoni dhe Kosovë, NATO: Të ruajmë paqen dhe stabilitetin në rajon
30.09.2024 16:03
Nga sot, forca të reja në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë...

Nga sot, forca të reja në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë. Ky është vendimi që ka marrë së fundmi Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior - NATO. Bëhet fjalë për 200 trupa nga Forcat Aleate të Reagimit (FAR), nga të cilat 150 do të vendosen në Maqedoninë e Veriut, ndërsa 50 në Kosovë. Në njoftimin e NATO-s thuhet se këto trupa do të qëndrojnë nga 30 shtatori deri më 16 tetor të këtij viti. Qëllimi i tyre është të kryejnë trajnime të cilat synojnë të sigurojnë gatishmërinë e saj dhe për të mbështetur KFOR-in.
“Personeli i dislokuar do të performojë aktivitete stërvitore për të mbajtur në nivel të lartë gatishmërinë dhe për të testuar aftësitë e tyre dhe procedurat për dislokim të shpejtë të një force të madhe. Një pjesë e selisë së ARF-së do të integrohet përkohësisht në komandën dhe strukturat kontrolluese të misionit të KFOR-it dhe do të ketë për detyrë që të identifikojë kërkesat e mbështetjes logjistike, mbështetjen infrastrukturore dhe operacione për KFOR-in, në rast të nevojës për një përforcim të pranisë së KFOR-it.”, u tha në njoftimin e NATO-s.
NATO-ja tha se dislokimi i fundit dërgon mesazh të qartë të vendosmërisë të fortë të NATO-s dhe përkushtimit për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe aftësinë e aleancës dhe gatishmërinë për t’u përgjigjur.
“FAR është një forcë strategjike, me gatishmëri të lartë, e aftë për shumë fusha. Ajo është në gjendje të vendoset në një njoftim të shkurtër, i mbështetur nga paketa të shkallëzueshme të forcës me shumë domene për të forcuar parandalimin në skenarë të ndryshëm. ARF i siguron Komandës së Lartë Aleate në Evropë (SACEUR) aftësi të menjëhershme për reagim ndaj krizave.”, - thuhet në kumtesën e NATO-s.
Nga NATO-ja gjithashtu thuhet se tensionet e përsëritura dhe veprimet e pakoordinuara ngrenë shqetësimin e aleatëve dhe partnerëve të NATO-s për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën, stabilitetin e rajonit dhe sigurinë e trupave të NATO-s dhe të partnerëve. Në Kosovë së fundmi u dislokuan edhe ushtarë britanikë, të cilët do të marrin pjesë në stërvitje me trupat e KFOR-it prezente në vend.
ARMEND MURSELI
