Fillon viti akademik 2024/2025, në UNT 800 studentë të rinj fillojnë studimet

01.10.2024 14:21

Në Universitetet Publike në vend...

Në Universitetet Publike në vend filloi viti i ri akademik. Universiteti “Nënë Tereza” me ceremoni ka hapur vitin e ri akademik 2024/2025.

Në këtë universitet afër 800 studentë kanë filluar studimet akademike, tha rektori i universitetit, Izet Zeqiri. Thekson se viti i ri akademik është një mundësi për të avancuar më tej misionin e përbashkët, atë të edukimit dhe të përgatitjes së brezave të ardhshme.

“Sot kemi privilegjin tonë si UNT të mirëpresim studentët e rinj të vitit akademik 2024/2025, që i bashkëngjiten familjes tonë universitare edhe atë afër 800 studentë, të cilët bashkohen me mbi 5 mijë studentë sa ka Universiteti “Nënë Tereza”. Universiteti “Nënë Tereza” është një vend ku ju përvetësoni dije, një vend ku ju formësoni karaktere, ndërtoni të ardhmen tuaj, është një vend ku ju po merrni edukatë intelektuale dhe përgatiteni për të ardhmen.”, - deklaroi rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Izet Zeqiri.

“Në këtë kuadër, mbështetja për Universitetin “Nënë Tereza” është dhe do të mbetet një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Kjo mbështetje nuk është thjesht një fjalë e thënë, por një angazhim konkret, i cili është dëshmuar dhe do të dëshmohet me veprime të qëndrueshme. Këtë tremujor, Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Qeverinë ka planifikuar ndarjen e një shume prej 34.5 milion euro për ndërtimin e kompleksit të ri universitar.”, - theksoi zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu.

“Vetëm investimi i Qeverisë nuk bën ndryshim, është detyrë e secilit prej jush që të studioni, të hulumtoni, të thelloni dituritë dhe të përsosni aftësitë e juaja sa më shumë që kokëlartë dhe me dinjitet të përballoni sfidat që ju presin si qytetarë akademik të këtij vendi.”, - u shpreh zëvendëskryeministri i parë në RMV, Izet Mexhiti.

Të dhënat e fundit flasin se nga viti në vit ka rënie të numrit të studentëve. Qendra për komunikime civile në një hulumtim thekson se për 10 vite numri i studentëve në vend është ulur për 7 mijë.

Ulje më të madhe, përkatësisht rreth 22 për qind është shënuar në universitetet shtetërore, ndërsa ato private shënojnë rritje të numrit të studentëve për 56 për qind. Sipas hulumtimit, numri i studentëve nivelin më të ulët e ka arritur në vitin e pandemisë 2020/2021. Te universitetet shtetërore rritje ka pasur vetëm për studimet e mjekësisë dhe informatikës. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)