100 ditë Qeveri, LSM-ja kërkon rritjen e pagës minimale

01.10.2024 15:11

Është e gabuar dhe çnjerëzore që 25.000 punëtorë....

Është e gabuar dhe çnjerëzore që 25.000 punëtorë të marrin pagë prej 22.567 denarësh, tha kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafillov.

Ai shtoi, se për të mbuluar shpenzimet e shportës konsumatore janë të nevojshme tri paga minimale. Sindikalistët thanë se kanë pritur nga Qeveria në 100 ditët e para, të ulen në tavolinën e bisedimeve.

LSM-ja mbetet me qëndrim të palëkundur, kërkojnë rritjen e pagës minimale.

“Mendojmë se 25 mijë punëtorë që marrin pagë prej 22.567 denarë është e gabuar, pra çnjerëzore të merren si të tillë. Unë besoj se 10.000 punëtorë që marrin pagë nga 1 denarë deri në 22.567 denarë, një gjë e tillë që bëjnë punëdhënësit, konsiderohet krim dhe mendojmë se që të mbulohen shpenzimet e një shporte minimale konsumatore janë të nevojshme tri paga minimale. Se argumentet tona janë të qëndrueshme, e kemi vlerësuar se vetëm pjesa e ushqimit dhe pijeve kushtojnë rreth 23.000 denarë dhe me këtë dalim në përfundim se një shportë minimale konsumatore nuk mbulon as shpenzimet e ushqimit dhe bukës.”, - deklaroi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov.

Kryetarja e Organizatës së Punëdhënësve, Vlladanka Trajkovska, tha se nga Qeveria kanë pritur që të tregojnë ndjeshmëri më të lartë për bizneset dhe krizën me të cilën përballen kompanitë. Si sindikalistët ashtu edhe punëdhënësit presin që të ulen në tryezën e bisedimeve në këshillin ekonomik-social.

“Mendoj se arsyeja për të cilën nuk jemi takuar është riorganizimi i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, konkretisht transferimi nga sektori i punës në Ministrinë e Ekonomisë. Ka njoftime se do të ketë takime, megjithatë pa asnjë informatë konkrete dhe temë të bisedimit.”, - theksoi kryetarja e Organizatës së Punëdhënësve, Vlladanka Trajkovska.

Trajkovska tha se prioritet për biznesin është që të punohet për rritjen e produktivitetit të kompanive, për gjetjen e tregjeve të reja dhe të përmirësohet infrastruktura. Kjo u tha në konferencën me temë "Dialogu social - situata, perspektiva dhe sfidat", e mbështetur nga Fondacioni “Fridrih Ebert”, Shkup.

Sipas pjesëmarrësve, “Dialogu social është mjeti më i rëndësishëm që mund ta shfrytëzojmë për fillimin e procesit të bisedimeve për përparimin dhe forcimin e të drejtave të punës.”. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)