Filloi viti akademik 2024/2025, Zejneli: UT-ja ofron mundësi të shkëlqyera
Në Universitetin e Tetovës ka filluar viti akademik 2024/25....

Në Universitetin e Tetovës ka filluar viti akademik 2024/25. Ceremonia e pritjes së studentëve është mbajtur para rektoratit të këtij universiteti, ku studentët u pritën nga stafi akademik.
Në fjalimin e tij, rektori i këtij universiteti, Jusuf Zejneli, tha se për nga historia Universiteti i Tetovës është arritja më e madhe e shqiptarëve të këtyre trevave dhe gjatë rrugëtimit u ka prirë shumë proceseve dhe organizimeve të mëdha kombëtare politike e shoqërore. Është e rëndësishme të mbani mend se suksesi nuk është gjithmonë në fund të rrugës, por në vetë procesin e përpjekjes, tha para studentëve rektori, Jusuf Zejneli.
“Deri sa jeni bërë pjesë e universitetit tonë, ju i jeni bashkuar një komuniteti që vlerëson jo vetëm përsosmërinë akademike, por edhe rritjen personale, diversitetin dhe përfshirjen. Tani më, ju përbëni një mozaik talentesh, kulturash dhe prejardhjesh të ndryshme që pasurojnë mjedisin tonë akademik. Andaj ne drejtuesit e Universitetit të Tetovës, bashkë me stafin akademik dhe atë administrativ, jemi përkushtuar për t'ju udhëhequr dhe mbështetur në këtë udhëtim arsimor – shkencor. Ne do të përpiqemi vazhdimisht që të krijojmë për ju një mjedis më të mirë arsimor dhe t’ju ndihmojmë juve të arrini qëllimet tuaja akademike. Universiteti i Tetovës është një institucion serioz, i cili ofron mundësi të shkëlqyera për zhvillimin e studentëve. Nëpërmjet gamës së gjerë të programeve studimore, infrastrukturës, si dhe resurseve, ne do t’ju ofrojmë juve mundësi të shumta zhvillimi profesional.”, - deklaroi rektori i UT-së, Jusuf Zejneli.
Fillimin e vitit akademik 2024/2025 e ka filluar dy javë më parë edhe Universiteti i Evropës Juglindore. (Visar Sadiki, TVM2)
