Luftime intensive në Lindjen e Mesme, ushtria izraelite nisi operacion tokësor në Liban

01.10.2024 17:39

Pavarësisht thirrjeve nga e mbarë bota...

Pavarësisht thirrjeve nga e mbarë bota për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme, Izraeli vazhdon të mbajë presionin ndaj Hezbollahut. Lufta është përshkallëzuar, Izraeli ka nisur operacion tokësor në Libanin jugor.

Ky operacion ka në shënjestër grupin militant dhe partinë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit, që mbështetet nga Irani.

“Në përputhje me vendimin e udhëheqjes politike, pak orë më parë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit nisën bastisje të kufizuara, lokalizuara dhe shënjestruara tokësore bazuar në informacionet precize kundër caqeve terroriste të Hezbollahut dhe infrastrukturës në jug të Libanit.”, thuhet në deklaratën ushtarake izraelite.

Ushtria vuri në dukje se ajo po operon sipas një plani metodik të përcaktuar nga Shtabi i Përgjithshëm dhe Komanda Veriore, për të cilin ushtarët e IDF-së janë trajnuar dhe përgatitur në muajt e fundit.

Nga ana tjetër, zyrtarë të lartë të Hezbollahut kanë theksuar se ushtarakisht janë të gatshëm t’i kundërvihen forcave izraelite nëse ata vendosin të hyjnë përmes tokës.

Nisja e operacionit tokësor erdhi disa orë pasi presidenti amerikan, Xho Bajden, u pyet nëse pajtohej nëse Izraeli do të ndërmerrte një veprim të tillë në Liban, tha: “Jam i qetë nëse ata ndalojnë. Na duhet një armëpushim tani!”.

Pas rritjes së tensioneve, Shtëpia e Bardhë tha se Uashingtoni beson se mënyra e vetme që të ketë një armëpushim mes Izraelit dhe Libanit është përmes një zgjidhjeje diplomatike.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, po ashtu i ka bërë thirrje Izraelit që të përmbahet nga çdo inkursion tokësor dhe të arrijë një marrëveshje armëpushimi. Ai po ashtu i bëri thirrje Hezbollahut që të bëjë të njëjtën gjë dhe të përmbahet nga çdo veprim që me gjasë do të çojë në paqëndrueshmëri rajonale. (Armend Murseli, TVM2)