Maqedoni
Digjet një ndërtesë në Çair, evakuohen 100 banorë
02.10.2024 10:30
Një objekt banimi po digjet në komunën e Çairit të Shkupit....

Të paktën gjashtë persona kanë mbetur të lënduar nga zjarri që shpërtheu mëngjesin e sotëm në një ndërtesë në lagjen Çair të Shkupit. Sipas informacioneve, gjashtë persona kanë kërkuar ndihmë në klinikat e Shkupit, për shkak të thithjes së tymit.
Ekipet e zjarrfikësve kanë dalë menjëherë në terren, ndërsa gjatë ditës priten të evakuohen rreth 100 persona. Një prej zjarrfikësve që ka intervenuar për shkak të thithjes së tymit është dërguar në toksikologji.
“Janë evakuuar banorët, nuk e kam evidencën e saktë, por me ndihmën e shkallëve janë evakuuar diku 60 banorë të ndërtesës, ndërsa të tjerët janë evakuuar përmes hyrjes. Intervenimi ishte shumë i vështirë dhe tymi është përfshirë në tërë objektin dhe pengonte intervenimin edhe pse ndërtesa ka tre hyrje. Kishte fëmijë të vegjël, persona me invaliditet. Më duhet të potencoj se kolegët u angazhuan maksimalisht dhe patëm sukses që t’i evakuojmë të gjithë.”, - u shpreh një zjarrfikës.
