Maqedoni
Akuza e tetë ndaj Ramiz Merkos, emëroi drejtorë në mënyrë të paligjshme
02.10.2024 13:43
Prokuroria Themelore Publike - Strugë ka ngritur propozim aktakuzë kundër kryetarit të komunës së Strugës, Ramiz Merko...

Prokuroria Themelore Publike - Strugë ka ngritur propozim aktakuzë kundër kryetarit të komunës së Strugës, Ramiz Merko, për “punë të pandërgjegjshme në shërbim”. Ai ngarkohet për shkelje të rregullave ligjore me rastin e emërimit të ushtruesit të detyrës – drejtor i shkollës fillore komunale në fshatin Ladorishtë, që sipas Prokurorisë i ka bërë me vetëdije.
“Edhe pse Ligji për arsimin bazë parashikon që ushtruesi i detyrës së drejtorit zgjidhet nga radhët e punonjësve të shkollës, të cilët i plotësojnë kushtet për drejtor, i akuzuari me datë 12.01.2022 ka caktuar një person që nuk i plotëson kushtet si ushtrues i funksionit të drejtorit të shkollës në Ladorishtë, gjegjësisht nuk ka pasur përvojë pune së paku pesë vjet në punën edukativo-arsimore.”, thuhet në kumtesën e PThP-së.
Shtojnë se personi i përmendur ka kryer funksionin drejtor i shkollës në periudhën prej datës 12.01.2022 deri më 31.07.2023, periudhë gjatë së cilës i është paguar paga dhe kontributet si u.d. drejtor, me çka i ka shkaktuar dëme shkollës. Kjo është aktakuza e tetë ndaj kryetarit të komunës së Strugës. Krahas punës së pandërgjegjshme, ndaj tij ka edhe akuza për ndërtim pa leje, si dhe falsifikim të dokumenteve.
Ndërkohë, ka filluar gjykimi për akuzën ndaj Merkos, që ka të bëjë me emërimin e u.d. drejtores në Shkollën Fillore "Murat Llabunishti", në Llabunisht, e cila sipas prokurorisë nuk ka plotësuar kushtet e përcaktuara me ligj. Situata është e ngjashme edhe në shkollën në fshatin Podgorcë. Prokurorët mbrojnë tezën së në shkollat fillore të Strugës dhe të rajonit, drejtorët janë emëruar në mënyrë joligjore nga ana e kreut të komunës, Ramiz Merko. Kryetari i Strugës, Ramiz Merko, që nga viti i kaluar është në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion.
FLORIJE KAMBERI
