Perinski: 250 milionë euro nga rebalanci për komunat
Gjithsej 358 projekte të dorëzuara nga 80 komuna në vend...

Gjithsej 358 projekte të dorëzuara nga 80 komuna në vend janë paraqitur në thirrjen e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale për mbështetje financiare.
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, shprehet i kënaqur nga interesimi i madh nga komunat. Thotë se deri në fund të kësaj jave do të duhet të përfundojë vlerësimi i projekteve të dorëzuara, që do të financohen nga buxheti i shtetit.
“Deri në fund të kësaj jave gjashtë ministri pritet të dorëzojnë raportet nga komisionet që vlerësojnë projektet e propozuara me të cilat komunat iu përgjigjën thirrjes për realizimin e projekteve kapitale dhe infrastrukturore, që do të financoheshin nga buxheti qendror. Këto projekte nuk mund të ndahen me projekte të vogla apo të mëdha, sepse një projekt i madh në një komunë rurale është projekt i vogël për një komunë të Shkupit.”, - deklaroi ministri për Vetëqeverisje Lokale, Zllatko Perinski.
Perinski tha se një numër i madh i projekteve të dorëzuara kanë të bëjnë me rikonstruimin e rrugëve dhe rrugicave, projekte nga fusha e mjedisit, si dhe përmirësimit të rrjetit dhe sistemeve të kanalizimit dhe ujësjellësit.
Autoritetet thonë se këto mjete komunat do t’i shfrytëzojnë në maksimum dhe do t’i përmirësojnë kushtet nëpër komuna.
“Më pas vijojnë projektet e dorëzuara në fusha tjera. Pra, gama është shumë e gjerë, ka projekte në vlerë prej disa qindra mijë denarëve, por kemi edhe projekt propozime që tejkalojnë vlerën prej 1.5 miliardë denarësh.”, - deklaroi ministri për Vetëqeverisje Lokale, Zllatko Perinski.
Me rebalancimin e fundit të buxhetit, Qeveria siguroi mbështetje financiare në vlerë prej 250 milionë eurosh për projekte të infrastrukturës kapitale të komunave. Në fazën e parë deri në fund të këtij viti, komunat do të kenë në dispozicion 6 miliardë denarë për t’i realizuar projektet në fjalë.
Perinski vlerësoi se në 100 ditët e para, kjo Qeveri ka qenë maksimalisht e përkushtuar ndaj çdo qytetari dhe komune, se janë investuar mbi një miliard denarë dhe ka pasur 200 projekte për zhvillimin e të gjitha rajoneve.
Njëherit tha se përmes platformës onlajn “Shpërndaj”, qytetarët më së shumti janë ankuar për mungesën e shërbimeve që duhet t’i marrin nga shërbimet komunale. (Rexhep Qamili, TVM2)
