Maqedoni

Taravari: Investuam në Spitalin e Tetovës

02.10.2024 14:23

Në kuadër të punës në 100 ditët e para në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, Arben Taravari...

Në kuadër të punës në 100 ditët e para në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, Arben Taravari, tha se kjo ministri ka investuar në aparatura dhe infrastrukturë edhe në Spitalin e Tetovës, si dhe janë lëshuar në funksion ashensorët e rinj.
 
“Vizituam investimet e para që janë bërë në 100 ditët e qeverisjes. Ashensorët janë vendosur në funksion, përveç një ashensori që ende montohet. Në parim të gjithë ashensorët janë funksional. Kulmi i pjesës internistike, i cili ishte i dëmtuar, veç më është i riparuar. I pamë edhe ambulancat kirurgjike ku investohet tash dhe te një pjesë e investimeve është pjesëmarrës “Ekologu” dhe një pjesë vetë Spitali Klinik i Tetovës. Vazhdon të jetë prioritet absolut Spitali i Tetovës.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. 
 
Taravari premtoi se për vitin e ardhshëm në Spitalin Klinik të Tetovës do të investohet në repartin e pediatrisë, por edhe në aparatura bashkëkohore.
 
“Reparti i pediatrisë që e vizituam vërtet ishte në gjendje të mjerueshme. Kishte nevojë për aparatura që janë të domosdoshme, nevojë për personel mjekësor, posaçërisht personel të mesëm mjekësor. Investimin e kemi në plan, por nuk e them dot, bëhet fjalë për një ndërtesë të re në Spitalin Klinik të Tetovës. Atë do ta promovojmë atëherë kur të jemi gati me projektin dhe buxhetin e siguruar.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. 
 
I pyetur se çfarë do të ndodhë me 100 persona të punësuar me kontratë në vepër në Spitalin e Tetovës, Taravari  u përgjigj se në nivel, shteti ka mbi 2.500 persona dhe premtoi se deri në fund të vitit gjysma e tyre do të marrin vendime, ndërsa pjesa tjetër vitin e ardhshëm.
 
VISAR SADIKI